Xhixho: Shqipëria ende larg Europës së vlerave nga korrupsioni dhe kapja e institucioneve
Në Ditën e Europës, deputetja e PL, Erisa Xhixho, thotë se Shqipëria mbetet ende larg standardeve europiane për shkak të korrupsionit, kapjes së institucioneve dhe mungesës së zgjedhjeve të lira.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo thekson se integrimi europian është rruga e vetme për vendin dhe se Europa duhet të ndërtohet fillimisht brenda Shqipërisë, përmes demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe mundësive të barabarta për qytetarët.
Postimi në FB:
Sot, në 9 Maj – Ditën e Europës – kujtojmë lindjen e projektit më të madh të paqes, unitetit dhe bashkëpunimit politik në kontinentin europian. Një projekt që, pavarësisht sfidave dhe pengesave ndër dekada, mbetet modeli më i suksesshëm politik, ekonomik dhe social i kohëve moderne.
Për Shqipërinë, kjo ditë është më shumë se një simbolikë. Është një kujtesë e fortë se nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit europian dhe se Europa duhet ndërtuar para së gjithash këtu, në Shqipëri, përmes demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës, institucioneve të pavarura dhe mundësive të barabarta për çdo qytetar.
Vokacioni europian i shqiptarëve është historik dhe identitar. Nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, te sakrificat e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore kundër nazifashizmit, e deri te rrëzimi i diktaturës komuniste me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, shqiptarët kanë zgjedhur gjithmonë të rreshtohen në anën e duhur të historisë.
Por sot, fatkeqësisht, vendi ynë vijon të mbetet larg standardeve europiane. Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve, largimi masiv i të rinjve dhe varfëria janë pengesat reale që po mbajnë Shqipërinë larg Europës së vlerave.
Është koha të ndërtojmë një Shqipëri ku rinia të ketë shpresë dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen. Një Shqipëri që çlirohet nga qeverisja e korruptuar dhe ecën pa pengesa artificiale drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Kjo është një betejë që duhet fituar çdo ditë.