‘Kur isha në burg, Ruçi nxori vëllanë tim nga lokali...’/ 31-vjeçari rrëfen shkakun e vrasjes së biznesmenit në Sarandë

Kostandin Vogli, 31-vjeçari që mbeti i plagosur në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 7 Majit në Gjashtë të Sarandës, ka dhënë dëshminë e tij para uniformave blu. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë me plumb në kokë 66-vjeçari Rexhep Ismaili, krim i ndodhur në lokalin e tij. Nga veprimet paraprake, mësohet se viktima u qëllua nga shtetasi Lulzim Tabaku.

Ndërkohë, para grupit hetimor, Vogli ka rrëfyer se shkoi në lokalin e 66-vjeçarit, i shoqëruar nga 5 persona të tjerë, për të sqaruar konfliktin që kishte me Viktor Ruçin, mik i Ismailit, që atë natë ndodheshin në një tavolinë.

31-vjeçari rrëfen se me Ruçin ishte në konflikt për një ‘beach bar’ në Ksamil. Vogli ka thënë se më herët ishte arrestuar dhe se gjatë kohës që ndodhej në burg, Ruçi kishte nxjerrë vëllain e tij nga biznesi, çka kishte përshkallëzuar konfliktin mes palëve. Mosmarrëveshjet kishin të bënin kryesisht me ndarjen e të ardhurave nga aktiviteti.