Drejt fundit të aventurës te Milani, Lao mund të bashkohet me Teo Hernandez në Arabi

Futbolli është i ndryshueshëm, sidomos në dinamikat e merkatos.

Ajo që sot duket e sigurt, nesër mund të kthehet në debat të hapur.

Kjo vlen plotësisht për rastin e Rafael Leaos. Megjithatë, është e domosdoshme të shihet çfarë po ndodh rreth tij dhe mënyra se si po zhvillohet gjithçka.

Në këtë moment, Rafa duket gjithnjë e më pranë largimit.

Si në një film ku po afrohen titrat e fundit. Sigurisht, mund të ketë ende ndonjë reagim në 270 minutat e fundit të sezonit, por për ta parë këtë duhet që Leao të luajë (gjë aspak e sigurt) dhe më pas të rikthehet në nivelet e tij më të mira, të cilat i ka shfaqur vetëm në periudha të caktuara të sezonit.

Në thelb, numri 10 i Milanit duket në fund të ciklit të tij te klubi, pas një procesi rënieje të vazhdueshme që nuk është ndalur vitet e fundit.

Edhe pse nuk priten deklarata publike, jo vetëm tifozët por edhe disa brenda klubit mendojnë se ndarja është zgjidhja më e mirë për të dy palët, pasi thjesht “loja nuk ia vlen më”.

Në këtë pikë gjithçka lidhet me financat. Klauzola prej 175 milionë eurosh është joreale, ashtu si edhe 100 milionët që dikur kishte ofruar Çelsi.

Sot, vlera e kartonit të tij llogaritet rreth 50–60 milionë euro, por problemi është edhe paga e lartë, 5.5 milionë euro neto në vit, që mund të shkojnë deri në 7 milionë me bonuse.

Në treg ka disa pista, Anglia (Mançester Junajtid) dhe Spanja (Barcelona), por për momentin nuk janë opsione shumë të forta.

Tani rikthehet sërish ideja e AlHilal, që nuk është një klub i rastësishëm.

Ai drejtohet nga Simone Inzaghi dhe aty Leao mund të ribashkohej me Teo Hernandez.

Ideja mund të jetë tërheqëse, por mbetet pyetja kryesore: a do të pranojë Leao, një lojtar ende ambicioz, të shkojë në një kampionat shumë fitimprurës por jashtë elitës europiane, apo do të presë oferta nga klubet e mëdha të Europës?

Ekziston edhe një mundësi e tretë. Të përpiqet të bindë Milanin për të vazhduar bashkëpunimin. Por ky skenar, për momentin, duket më pak i mundshëm.