FOTOLAJM/ Terror policor mbi protestën paqësore të opozitës, goditen qytetarët, drejtuesit e PD dhe ekipi i SYRI TV
Sjellje brutale, represion i pajustifikuar dhe dhunë e hapur ndaj qytetarëve dhe medias. Kjo ishte panorama e rëndë e veprimeve policore gjatë protestës së sotme të opozitës në Tiranë, ku forcat e rendit, në vend që të garantonin të drejtën kushtetuese të tubimit, përdorën forcë disproporcionale ndaj një proteste të qetë dhe pa incidente.
Sipas raportimeve nga terreni të gazetarit Fatjon Gjinaj, policia kishte angazhuar dhjetëra efektivë vetëm për survejim dhe bllokim të protestuesve, ndërsa marshimi u pengua me forcë për të mos lejuar qytetarët të vijonin itinerarin e tyre. Në vend të ruajtjes së rendit, qytetarët u përballën me presion, intimidim dhe një strategji force që opozita e konsideron si përpjekje për të fabrikuar arrestime.
Por kulmi i papërgjegjshmërisë u shënua me sulmin ndaj mediave, ku stafi i Syri Televizion u godit drejtpërdrejt ndërsa po raportonte live. Gazetarë dhe operatorë që ndodheshin në krye të detyrës, duke informuar publikun mbi zhvillimet, u bënë objekt i gazit lotsjellës dhe ujit me presion, në një akt që ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e lirisë së medias.
Gazetarja Marsi Korreshi, një profesioniste në shërbim të informimit publik, pësoi probleme shëndetësore si pasojë e ekspozimit ndaj gazit dhe ujit të hedhur pa kriter nga policia. Gjendja e saj kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të autoambulancës, ndërsa ajo mori ndihmë mjekësore në vendngjarje. Edhe operatori Armand Varfi, i pozicionuar mbi automjetin e transmetimit të Syri TV, u vu në shënjestër ndërsa kryente vetëm detyrën e tij.
Në kontrast të plotë me sjelljen agresive të policisë, Syri TV dëshmoi profesionalizëm, guxim dhe përkushtim, duke qëndruar në vijën e parë për të dokumentuar realitetin dhe për të sjellë të vërtetën tek publiku, pavarësisht presionit dhe rrezikut.
Duket qartë se policia me veprimet e saj, po tejkalon kufijtë ligjorë dhe etikë, duke u kthyer në instrument presioni jo vetëm ndaj protestuesve, por edhe ndaj medias së lirë.