Dhuna barbare e policisë/ Këlliçi: Rama po ndalon protestën dhe po e çon vendin drejt konfliktit civil

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për cënim të demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve për të protestuar, pas bllokimit dhe dhunës barbare të policisë ndaj marshimit paqësor të opozitës. Në reagimin e tij, Këlliçi e cilëson ndërhyrjen si “aktin më të rëndë të këtyre 35 viteve”, ndërsa shton se kufizimi i protestës përbën “fundin zyrtar të demokracisë dhe bashkëjetesës politike në vend”. Ai akuzon Ramën se po përshkallëzon tensionin politik dhe po tenton të vendosë një regjim shtypës ndaj qytetarëve dhe opozitës.

Reagimi i Këlliçit:

Pengon drejtësinë me votë në Kuvend, nuk lejon Opozitën të ushtrojë të drejtat e saj parlamentare, kontrollon e censuron mediat, tani Edi Rama ka vendosur të ndalojë edhe protestën. Moslejmi i marshimit paqësor, me skalione force është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 35 vite në vendin tonë.

Është shkelje brutale e lirisë dhe të drejtës themelore të qytetarëve. Ky kufizim i dhunshëm, caktimi nga Edi Rama i zonës se ku mund të qarkullojnë njerëzit, është fundi zyrtar i demokracisë dhe bashkëjetesës politike në vend.

Edi Rama po u thotë shqiptarëve se jo vetëm ai dhe Belinda Balluku kanë imunitet dhe nuk mund të hetohen, por nuk lejohet as që qytetarët të ngrenë zërin e të protestojnë. Edi Rama po e përshlkallëzon tensionin politik, po e çon vendin në konflikt civil.

Ai kërkon me forcë që të vjedhë e të mos shqetësohet nga askush. Atë kohë shqiptarët e kanë lënë pas 3 dekada e gjysëm më parë. Nuk do të lejojmë instalimin e një regjimi të ri shtypës. Edi Rama do të bjerë bashkë me ëndrrat e tij të çmendura diktatoriale!