SYRI TV/ Peshkatarët e Pogradecit ngrihen në protestë, kufizimet në liqen, shkak për pakënaqësi

Peshkatarët e Pogradecit protestuan para bashkisë duke kundërshtuar kufizimet në liqen, të cilat sipas tyre po zgjasin më shumë se afatet ligjore dhe po i lënë pa të ardhura për muaj të tërë. Ata kërkojnë hapjen e menjëhershme të peshkimit ose rishikim të rregullave, ndërsa shoqata e peshkimit sqaron se ndalimet janë pjesë e një rregulloreje zyrtare për mbrojtjen e specieve në periudhën e shumimit.

Peshkatarët e Pogradecit dolën paraditen e sotme në protestë para bashkisë së qytetit, duke kundërshtuar kufizimet në liqen, të cilat sipas tyre po zgjasin më shumë se parashikohet dhe po i mbajnë prej muajsh larg aktivitetit të peshkimit. Ata shprehen se ndalimi i përdorimit të rrjetave në këtë periudhë po i lë pa të ardhura dhe po e bën të pamundur ushtrimin e profesionit të tyre. Sipas peshkatarëve, aktiviteti i tyre nuk dëmton shumimin e peshkut. Ata kërkojnë sqarime të qarta mbi rregullat e peshkimit dhe shprehen se mungesa e informacionit po i penalizon rëndë ekonomikisht, ndërsa shumë prej tyre thonë se nuk kanë burime të tjera të ardhurash.

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së peshkimit, Adriatik Dokollari, sqaron se nuk bëhet fjalë për ndalim total, por për zbatim të rregullores së miratuar në vitin 2022 për ujërat e brendshme. Sipas tij, nga 20 prilli deri më 20 korrik ndalohet përdorimi i rrjetave sipërfaqësore, pasi kjo periudhë lidhet me shumimin e disa specieve dhe kërkon mbrojtje të veçantë.

Dokollari thekson se shoqata vepron vetëm në bazë të urdhrave të ministrisë dhe nuk ka kompetencë të ndryshojë afatet apo të japë leje jashtë kuadrit ligjor. Ndërkohë, peshkatarët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, duke paralajmëruar se situata aktuale rrezikon të lërë dhjetëra familje pa të ardhura.