Skandal në Angli, Bournemouth-i pezullon ish-in e Milanit pas mesazheve me një 15-vjeçare

Bournemouth-i ka pezulluar futbollistin Álex Jiménez pas publikimit të disa mesazheve private me përmbajtje të papërshtatshme, të shkëmbyera me një vajzë 15-vjeçare.

Mbrojtësi spanjoll, ish-lojtar i Milanit, është vënë në qendër të një skandali të madh në Angli, pasi bisedat e publikuara në rrjetet sociale janë bërë virale dhe kanë shkaktuar reagime të shumta.

Sipas raportimeve, vajza kishte bërë të qartë që në fillim të bisedës se ishte minorene, por mesazhet e publikuara tregojnë se Jimenez nuk e kishte konsideruar problem moshën e saj. Në disa nga bisedat e shpërndara ‘online’, lojtari thuhet se ka shkruar se “i pëlqejnë vajzat e reja”, deklarata që kanë shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik.

Pas shpërthimit të skandalit, Bournemouth-i reagoi menjëherë duke e lënë futbollistin jashtë skuadrës dhe duke hapur një hetim të brendshëm. Klubi anglez publikoi edhe një deklaratë zyrtare.

“Bournemouth-i është në dijeni të postimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me mbrojtësin e djathtë, Álex Jiménez. Klubi e kupton seriozitetin e çështjes dhe aktualisht është duke zhvilluar një hetim. Për këtë arsye, Alex nuk do të përfshihet në skuadër për ndeshjen e ardhshme ndaj Fulhamit”, thuhet në reagimin e klubit.

Situata po monitorohet edhe nga autoritetet angleze, ndërsa e ardhmja e futbollistit 21-vjeçar mbetet në pikëpyetje. Jimenez ishte transferuar përfundimisht te Bournemouth-i vetëm pak muaj më parë, pasi klubi anglez kishte vendosur ta blinte nga Milani në muajin shkurt.