Bayerni synon një tjetër Kvaratskhelia, në fokus vëllai i vogël i Khvicha-s

Bayern mund të sigurojë në të ardhmen një tjetër talent nga familja Kvaratskhelia. Klubi gjerman po ndjek me interes të madh Tornike Kvaratskhelia-n, vëllanë e vogël të ‘yllit’ të PSG-së, Khvicha Kvaratskhelia.

Lajmi është konfirmuar edhe nga drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund, i cili pranoi se futbollisti i ri ka zhvilluar stërvitje me akademinë e klubit bavarez.

“Po, vëllai i tij është stërvitur me ne në Campus. Ka talent. Të thuash nëse është aq i fortë sa Khvicha do të ishte e tepërt, por është një lojtar me perspektivë dhe do të shohim si do të zhvillohet situata”, deklaroi ai.

Sipas medieve gjermane, lojtari i lindur në vitin 2010 ka luajtur edhe në një miqësore me skuadrën U17 të Bajernit, duke lënë përshtypje shumë pozitive. Tornike tregoi teknikë të shkëlqyer dhe madje realizoi edhe një gol në fitoren 3-0 të bavarezëve.

Megjithatë, transferimi i menjëhershëm në Gjermani duket i komplikuar. Për shkak se është futbollist jashtë Bashkimit Europian dhe ende minoren, ai nuk mund të transferohet zyrtarisht te Bayerni deri në moshën 18-vjeçare. Për këtë arsye, klubi po studion mundësinë që talenti gjeorgjian të huazohet fillimisht te një klub partner brenda rrjetit të Bayernit.

Interesant është fakti se edhe vetë Khvicha Kvaratskhelia kishte kryer një provë te Bajerni kur ishte 16 vjeç, por transferimi i tij dështoi pikërisht për shkak të të njëjtave rregulla mbi lojtarët minorenë jashtë BE-së.

Tashmë historia mund të përsëritet, por këtë herë gjigantët bavarezë duket se janë të vendosur të mos e humbasin sërish një talent nga familja Kvaratskhelia.