Kaos te Real Madridi, Arbeloa drejt shkarkimit, dalin prapaskenat e përplasjes Tchouaméni-Valverde

Situata te Real Madridi vazhdon të tensionohet pas incidentit të rëndë mes Aurélien Tchouaméni dhe Federico Valverde, ndërsa tashmë në qendër të kritikave ka përfunduar edhe trajneri Álvaro Arbeloa.

Sipas raportimeve nga mediet spanjolle, Arbeloa ka humbur plotësisht mbështetjen e dhomës së zhveshjes për shkak të mënyrës si menaxhoi konfliktin mes dy futbollistëve gjatë stërvitjes. Klima në skuadër ishte e tensionuar prej kohësh, por situata shpërtheu pas një serie përplasjesh mes Valverde-s dhe Tchouaméni-t.

Raportohet se gjithçka nisi që në fillim të seancës stërvitore, kur Valverde refuzoi të përshëndeste mesfushorin francez. Gjatë ushtrimeve, të dy lojtarët kërkonin vazhdimisht përballjen me ndërhyrje të ashpra dhe jashtë kohe, duke treguar hapur tensionin mes tyre.

Ajo që ka shkaktuar zemërim brenda klubit është fakti se Arbeloa, megjithëse ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i situatës, nuk ndërhyri në asnjë moment për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Sipas burimeve pranë klubit, pjesa tjetër e lojtarëve mbeti e habitur nga pasiviteti i trajnerit.

Në shumë klube të tjera, një situatë e tillë mund të kishte sjellë shkarkim të menjëhershëm të trajnerit, por pozita e Arbeloas konsiderohet ende e fortë për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me drejtuesit e klubit dhe strukturat e “Los Blancos”.

Megjithatë, raportimet bëjnë të ditur se spanjolli vështirë se do të vazhdojë në krye të ekipit të parë sezonin e ardhshëm, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një tjetër rol brenda Real Madridit.