Në 19:00, para zyrës së krimit, Këlliçi: ‘PLUG’ zbuloi rastin klasik të korrupsionit, 130 mln € iu falën klientit të Ballukut

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në rrjetet sociale duke denoncuar rastin e fundit të korrupsionit që implikon ministren Belinda Balluku.

Ai e cilëson si një akt të drejtpërdrejtë dhe brutal, që i mohon shtetit 130 milionë euro dhe favorizon klientët e qeverisë në dëm të qytetarëve. Emisioni investigativ ‘PLUG’ në Syri TV ka zbuluar se Balluku, në bashkëpunim me Ministren e Financave të kohës, Denaj, vendosi të anulojë një detyrim doganor të Bankers Petrolium, duke i falur kompanisë 130 milionë euro që do të duhej të shkonin në arkën e shtetit, ndërsa qytetarët dhe fermerët paguajnë më shtrenjtë për naftën.

Këlliçi fton qytetarët të bashkohen sot në Bulevard, në orën 19:00, para zyrës së krimit dhe korrupsionit, për të kërkuar llogaridhënie dhe largimin e Edi Ramës. Ai thekson se vetëm me mobilizim qytetar mund të ndalohet imponimi i korrupsionit si normalitet.

Postimi:

Emisioni PLUG në Syri TV, zbulon rastin klasik të korrupsionit Balluku!

Ky është rasti brutal i një akti korruptiv të drejtpërdrejtë, pa asnjë dilemë, pa asnjë pendesë.

Belinda Balluku inicion vetë urdhërin për të favorizuar Bankers Petrolium me 130 milionë euro. Bëhet fjalë për detyrimin që kjo kompani kishte ndaj shtetit, sipas konstatimit të Drejtorisë së Doganave.

Por Balluku, në bashkëpunim me Ministren e Financave të kohës, Denaj, vendosin ta anullojnë këtë detyrim doganor. Bankers nuk paguan pra akcizë, ndërsa fermerët shqiptarë, qytetarët me të ardhurat më të ulëta dhe me fuqinë më të ulët konsumatore në Europë, e blejnë naftën më shtrenjtë se kudo edhe për shkak të taksës së akcizës të përfshirë në çmim.

Zbulimi i emisionit investigativ PLUG, është për t’u vlerësuar. Nga ky publikim, mësohet se si 130 milionë euro që duhet të ishin në arkën e shtetit, u mohohen qytetarëve dhe i falen klientit të Ballukut.

Bën përshtypje fakti se kjo është një sipërmarrje personale e Ballukut, pra nuk vjen si propozim nga specialistët apo nga sektori përkatës. Rasti klasik i korrupsionit, që Edi Rama po kërkon të na e imponojë si normalitet.

Pikërisht për këto lloj aferash që u kanë kushtuar rëndë qytetarëve, është e domosdoshme të bashkohemi sonte në Bulevard, në orën 19:00, para zyrës së krimit e korrupsionit.

Të ngremë zërin e të kërkojmë largimin e Edi Ramës.