Tragjedi në Brazil, vritet me armë zjarri ish-luftëtari i MMA-së
Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e sporteve luftarake në Brazil, ku ish-luftëtari i MMA-së, Rogério Silva Santos, është vrarë në një sulm me armë zjarri në qytetin Lucas do Rio Verde.
Sipas autoriteteve lokale, 36-vjeçari u qëllua të paktën tri herë nga dy persona të armatosur, të cilët e kishin ndjekur deri brenda një dyqani të vogël ushqimor, ku ai ishte përpjekur të strehohej. Sulmuesit e goditën në hyrje të dyqanit nga distanca e afërt dhe më pas u larguan nga vendngjarja.
Shërbimet e emergjencës mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes në lagjen Tessele Júnior, por viktima ishte pa shenja jete. Policia konfirmoi se bëhet fjalë për një “ekzekutim”, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve janë në vijim.
Rogério Silva Santos, i njohur edhe me nofkën “Cachorro Louco” (që do të thotë “Këlyshi i çmendur”), kishte lindur në qytetin Almeirim në rajonin e Amazonës dhe kishte pasur një karrierë të shkurtër në MMA, ku sipas statistikave kishte humbur të gjitha ndeshjet e tij profesionale.
Përveç sportit, ai kishte provuar edhe politikën, duke kandiduar në zgjedhjet lokale në vitin 2020, por pa sukses.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një motiv të qartë për sulmin, ndërsa rasti ka ngjallur reagime të shumta në Brazil, një vend ku dhuna me armë mbetet një problem serioz social.