Rrëfimi i fortë i Süle-s: dieta ekstreme dhe sauna për të humbur peshë te Bayerni
Mbrojtësi gjerman, Niklas Süle, ka zbuluar një histori befasuese nga koha e tij te Bayern Munich, duke treguar se si për vite me radhë ka përdorur metoda ekstreme për të kontrolluar peshën trupore gjatë karrierës së tij.
Në një intervistë në podcastin “Spielmacher”, 30-vjeçari ka pranuar se dita e peshores te Bayerni ishte një nga momentet më stresuese për të. Ai ka treguar se çdo të mërkurë praktikisht nuk hante asgjë, vetëm për të qenë në peshën e kërkuar një ditë më pas.
“Për vite me radhë te Bayerni, të enjten kishim peshoren dhe të mërkurën nuk haja asgjë. Absolutisht asgjë, gjithmonë agjëroja”, ka rrëfyer Süle.
Mbrojtësi gjerman ka zbuluar edhe një detaj edhe më ekstrem: për të humbur peshë shpejt, përdorte saunën në shtëpi me veshje të papërshkueshme nga uji. “Në mbrëmje shkoja në sauna me xhaketë. Dhe të nesërmen peshoja 2.5 kilogramë më pak”, tha ai.
Süle tregoi se këto metoda shpesh e çonin deri në kufijtë e rrezikut. Pas seancave në sauna, ai ka pranuar se madje dilte për disa minuta te dritarja për të marrë frymë, pasi ndiente se mund të humbiste ndjenjat.
Ai kujtoi gjithashtu një episod me ish-trajnerin Jupp Heynckes, i cili i kishte thënë pas një ndeshjeje: “Tani ke luajtur shumë më mirë”, edhe pse në realitet pesha e tij nuk kishte ndryshuar.
Süle pritet të mbyllë karrierën me një bilanc të rëndësishëm, përfshirë pesë tituj në Bundesligë dhe triumfin në UEFA Champions League me Bayernin, si dhe afro 400 ndeshje zyrtare dhe 49 paraqitje me përfaqësuesen e Gjermanisë.
Në fund, gjermani pranoi se ka bërë gabime gjatë karrierës, por theksoi se arritjet e tij kanë qenë shumë më të mëdha se dështimet.