Djali është në shtëpinë tonë, nuk e prekni dot… Ismaili u vra kot, nuk lejoi rrëmbimin e një personi në lokal...
Nga Elton Qyno – Syri.net/
Biznesmeni Rexhep Ismaili, që mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme në Sarandë, nuk ka pasur asnjë konflikt me autorin e krimit, Lulzim Tabaku.
Sipas hetimeve të kryera, Ismaili, është vrarë kot dhe pa pasur asnjë përplasje të drejtpërdrejtë me autorin e krimit. Por goditja ndaj tij është kryer vetëm pasi ai ka dalë garant për një person, i cili ndodhej në lokalin e tij, ku Lulzim Tabaku dhe persona të tjerë ishin shfaqur të armatosur dhe donin ta rrëmbenin.
Sipas policisë së Sarandës, sherri gjatë të cilit mbeti i vrarë Ismaili, nuk e përfshinte drejtpërdrejt viktimën.
Gjatë mbrëmjes së djeshme në lokal kanë shkuar, të paktën 10 persona, të cilët kanë patur një konflikt, dyshohet pronësie, me një prej personave që ndodhej në lokal dhe kanë dashur ta rrëmbejnë.
Më pas mësohet se Rexhep Ismaili u ka thënë: “…djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu…”, duke sjellë kështu agravimin e situatës.
Po ashtu në vendngjarje ka mbetur një automjet i autorëve, që tashmë është sekuestruar nga policia. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur një person që nuk është paraqitur në spital, por është larguar bashkë me autorin, Lulzin Tabaku, dhe të dy vijojnë të jenë në kërkim.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.
Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Gjithashtu dyshimet janë se autori Lulzim Tabaku, mund të jetë larguar në drejtim të Greqisë.