'Qytetarët po varfërohen çdo ditë'/ Koka: Shqipëria po jeton një krizë të thellë ekonomike dhe sociale

Në një kohë kur kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme dhe siguria publike është vënë seriozisht në pikëpyetje, Shqipëria përballet me një realitet të zymtë ku mbijetesa është kthyer në një luks. Qytetarët ndeshen çdo ditë me vështirësi ekonomike që e bëjnë edhe ushqimin bazë, të paarritshëm, një situatë që ngjason me periudhën e komunizmit, kur produkte të tilla ishin të rezervuara për një elitë të vogël.

I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', gazetari Bledian Koka tha se kjo krizë ekonomike thellohet veçanërisht në sektorin e bujqësisë.

Fermerët e kanë të pamundur të punojnë tokat me një çmim nafte që ka arritur nivele stratosferike, duke i detyruar shumë prej tyre t'i rikthehen mjeteve primitive si parmenda.

Premtimet e pambajtura politike, siç ishte ai për naftë më të lirë për fermerët, sipas gazetarit mbeten një kujtim i hidhur i një qeverisjeje që akuzohet se ka humbur kontaktin me hallet reale të njerëzve, duke zëvendësuar komunikimin me patronazhim dhe presione.

Paralelisht me krizën ekonomike, Koka tha se vendi është përfshirë nga një valë pasigurie dhe kriminaliteti. Rendi shoqëror dhe siguria publike duken të tronditura nga themeli, ndërsa Policia e Shtetit ka humbur fokusin e saj kryesor: mbrojtjen e qytetarëve. 

Deklarata e plotë:

"Unë nuk mendoj që partia duhet të ketë vetëm një fokus të veçantë dhe të të harrohet ai që është fokusi kryesor, raporti me njerëzit.  Sepse është një raport i cili duhet kultivuar përgjatë gjithë kohës, duhet kultivuar në raport me moralin, jo ashtu siç e kultivon Partia Socialiste, ku si me thënë bën ndarje të shpejtë të atyre që i quajnë komisarët politikë të përcaktimeve dhe pastaj nis patronazhimi i qytetarëve dhe jo komunikimi me ta. 

Pra, një gjë është patronazhimi, si me thënë t'i thërrasësh në detyrë, t'i marrësh të gjithë ata që punojnë në shtet, t'i kujtosh bukën e gojës dhe bukën e fëmijëve, t'i thuash po po s'erdhe këtu sigurisht që ne ju heqim nga puna. 

Dhe një tjetër është të flasësh me atë pjesë të komunitetit dhe me atë që janë shqetësimet e qytetarëve. Pra po ta shikoni, askush nga mazhoranca, askush nga deputetët e mazhorancës nuk e qan hallin e fermerëve apo premtimin e mosmbajtur, atë ulërimën e famshme të Erjon Braçes në 2013-ën, nëse e mbani mend, ajo epikja, e doni naftën më të lire.

Tokat në Shqipëri janë të pamundura për t'u punuar në këto momente kur nafta është 2400, 2000 e 2040 lekë. Pra, pashë ca raportime që kanë filluar rikthehen dhe tek parmenda njerëzit, që sigurisht kjo nuk është bujqësi, por është thjesht është mbijetesë, është thjesht prodhojnë diçka për bukën e gojës. 

Bëhet fokusi tek qytetarët të kuptojnë që ka një qeveri e cila për shkak se nuk e nuk e shikonte të arsyeshme të ulte TVSH-në e mallrave të shportës, ku sot edhe të hash bukë me bukë e djathë e domate është një gjë e pamundur dhe është një luks ashtu siç ishte në kohën e komunizmit.

Pra dhe në komunizëm ti nuk haje domate përveçse nga qershori deri në gusht, ku ajo që prodhohej tek ajo te ato gastrot që kishim mbrapa shpie, sepse pjesa tjetër e vitit domatet hanin vetëm,  se as mundësi kishin për ta ngrënë. 

Pra, qytetarët duhet duhet të kuptojnë që pak nga pak edhe mbijetesa këtu tashmë në Shqipëri është bërë një luks dhe unë kam përshtypjen që secili prej deputetëve do të ketë detyrë që të komunikojë këtë lloj gjëje dhe pa diskutim edhe të ofrojë dhe propozimet që ka opozita, për qeverinë të cilët nuk merren parasysh për asgjë nga një mazhorancë e cila nuk vjen fare në parlament, nuk jep më llogari. 

Për shembull e keni vënë re, kryeministri i Shqipërisë kur vjen, është lajm kur vjen, jo kur vjen në parlament, por kur vjen në Shqipëri. Dhe kjo është një çmenduri shumë e madhe e cila nuk mund dhe nuk duhet të kalojë assesi si me thënë e pa komunikuar nga deputetët".