Spanja siguron pesë skuadra në Champions League falë historisë së Rayo-s së Balliut
Kualifikimi historik i Rayo Vallecano-s në finalen e UEFA Conference League ka sjellë një lajm të madh për futbollin spanjoll. Pas triumfit ndaj Strasbourgut në gjysmëfinale, është bërë matematikisht e sigurt që Spanja do të ketë pesë skuadra në edicionin e ardhshëm të UEFA Champions League.
Suksesi i Rayo-s në Europë ka garantuar pikët e nevojshme në renditjen e UEFA-s, duke bërë që Gjermania të mos ketë më mundësi ta kalojë LaLigën në koeficient. Ky lajm është pritur me entuziazëm të madh nga tifozët e Real Betisit dhe Celta Vigo-s, skuadra që po luftojnë për vendet europiane në kampionat.
Falë këtij skenari, vendi i pestë në LaLiga do të sigurojë automatikisht pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm. Përfitimet nuk ndalen këtu, pasi edhe vendi i gjashtë do të dërgojë skuadrën në UEFA Europa League, ndërsa i shtati në Conference League.
Gara mes Spanjës dhe Gjermanisë për vendin ekstra në Champions dhuroi emocione të mëdha deri në fund. Në një moment, gjithçka varej nga rezultatet e Rayos në Francë dhe të Freiburgut ndaj Braga-s. Megjithatë, fitorja e skuadrës madrilene rezultoi vendimtare.
Spanja tashmë ka arritur në 22.093 pikë në renditjen e UEFA-s, ndërsa Gjermania ka 21.785. Edhe në rast se Freiburgu fiton finalen e Europa League dhe Rayo humbet finalen e Conference League, diferenca nuk mund të përmbyset më.
Ndërkohë, Anglia e kishte siguruar prej kohësh vendin e parë në renditje dhe gjithashtu do të ketë pesë skuadra në Champions sezonin e ardhshëm. Klubet angleze madje synojnë një sukses historik në kupat europiane, pasi Arsenali do të luajë në finalen e Champions League, Aston Villa në finalen e Europa League dhe Crystal Palace në finalen e Conference League.