E ardhmja e Conceiçaos lidhet me Championsin, Liverpooli futet në garë për ‘yllin’ e Juventusit

Juventusi po hyn në një fazë vendimtare të sezonit, ku kualifikimi në UEFA Champions League mund të përcaktojë jo vetëm planet sportive, por edhe strategjinë e merkatos për verën. Drejtuesit bardhezinj janë të vetëdijshëm se mungesa në kompeticionin më të rëndësishëm europian do ta detyronte klubin të sakrifikonte një nga ‘yjet’ kryesorë për të financuar afrimet e reja.

Një nga emrat më të përfolur është ai i Francisco Conceição-s, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së trajnerit Luciano Spalletti gjatë këtij sezoni. Sulmuesi portugez ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane falë paraqitjeve të tij bindëse, ndërsa së fundmi në garë për të është futur edhe Liverpooli.

Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit e klubit anglez e shohin Conceiçao-n si një nga kandidatët idealë për të zëvendësuar Mohamed Salah, aventura e të cilit me “The Reds” pritet të mbyllet në fund të sezonit. Liverpuli dëshiron ta transferojë portugezin në Premier League, duke qenë i gatshëm të investojë një shumë të konsiderueshme për kartonin e tij.

Nga ana tjetër, Juventusi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga lojtari. Vetë Conceiçao ka deklaruar disa herë se dëshiron të vazhdojë në Torino, por situata financiare mund të ndryshojë gjithçka në rast se bardhezinjtë dështojnë të sigurojnë një vend në Champions League.

Klubi italian e vlerëson sulmuesin jo më pak se 70 milionë euro. Juventusi investoi rreth 45 milionë euro për ta blerë përfundimisht nga FC Porto dhe tani synon të realizojë një fitim të madh në rast largimi.

Në Torino shpresojnë të shmangin këtë skenar, por barazimi i fundit ndaj Veronës ka komplikuar situatën në renditje dhe i ka dhënë mundësi Romës të afrohet ndjeshëm. Për këtë arsye, transferta ndaj Lecce-s konsiderohet vendimtare jo vetëm për sezonin aktual, por edhe për të ardhmen e projektit bardhezi.