Britania e Madhe: Shtetasi i tretë britanik dyshohet se është i infektuar me hantavirus

Agjencia britanike e sigurisë shëndetësore tha se një rast tjetër i dyshuar i hantavirusit ishte identifikuar tek një shtetas britanik në ishullin Tristan de Cunha të Atlantikut Jugor.

Dy shtetas britanikë janë konfirmuar si raste të hantavirusit, si pjesë e monitorimit të shpërthimit vdekjeprurës në një anije luksoze turistike, tha Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar në një përditësim të premten, raporton Reuters.

Autoritetet globale të shëndetësisë po punojnë për të frenuar një shpërthim të hantavirusit në bordin e anijes turistike MV Hondius.

Shpërthimi, që përfshin variantin Andes të hantavirusit, deri tani ka rezultuar me pesë raste të konfirmuara, tre infeksione të dyshuara dhe tre viktima mes pasagjerëve të lidhur me këtë udhëtim, sipas zyrtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

MV Hondius, me rreth 150 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi nga 23 kombësi, u nis nga Argjentina dhe kaloi Atlantikun para se të raportoheshin raste të sëmundjeve të frymëmarrjes gjatë lundrimit pranë Kepit të Gjelbër