Ivan Balliu pranë ëndrrës, Rayo-Vallecano Crystal Palace, finalja e Conference League
Rayo Vallecano, ku aktivizohet edhe mbrojtësi shqiptar, Ivan Balliu, vazhdon të shkruajë historinë në arenën europiane. Skuadra madrilene siguroi për herë të parë pjesëmarrjen në finalen e një kompeticioni kontinental, pasi triumfoi 1-0 ndaj Strasbourgut në stadiumin ‘Stade de la Meinau’, duke vulosur kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 2-0 në gjysmëfinalen e UEFA Conference League.
Rayo po kalon një periudhë të shkëlqyer forme, teksa tashmë ka pesë ndeshje radhazi pa disfatë në të gjitha garat, me katër fitore dhe një barazim. Ekipi spanjoll ka bindur me lojën dhe rezultatet, duke fituar me meritë të drejtën për të qenë në finalen e madhe që do të zhvillohet në Leipzig.
Në aktin final, Rayo do të gjejë përballë Crystal Palace, që në gjysmëfinale eliminoi Shakhtar Donetsk-un me rezultatin 2-1. Edhe për klubin anglez kjo do të jetë finalja e parë europiane në histori, ndërsa synimi do të jetë fitimi i trofeut të dytë madhor në më shumë se 120 vite ekzistencë profesionale.