Valverde humbi kujtesën nga përleshja me Tchouamenin, Reali konfirmon hapjen e procedurës disiplinore
Real Madridi ka dalë me reagimin e parë zyrtar pas incidentit të rëndë mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit, duke konfirmuar se ndaj të dy lojtarëve është hapur procedurë disiplinore.
Klubi madrilen njoftoi se vendimi vjen pas ngjarjeve të ndodhura në qendrën stërvitore, të cilat kanë tronditur ambientin brenda skuadrës në një moment vendimtar të sezonit.
Sipas deklaratës zyrtare, Real Madridi thekson se procesi është ende në zhvillim dhe nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.
“Real Madridi njofton se, pas ngjarjeve që ndodhën këtë mëngjes, klubi ka vendosur të hapë procedura disiplinore ndaj lojtarëve tanë Fede Valverde dhe Aurelien Tchouameni. Klubi do ta bëjë të ditur epilogun në kohën e duhur, pasi të përfundojnë procedurat e brendshme”, thuhet në komunikatë.
Raportimet nga Spanja flasin për një përplasje fizike serioze, ku Tchouameni dyshohet se e ka goditur Valverden, duke e lënë mesfushorin uruguajan të lënduar dhe të dërguar në spital për kontrolle mjekësore.
Ndërkohë, Valverdes i kanë dhënë një pushim prej një jave, pasi edhe ka humbur kujtesën për disa gjëra, kurse Tchouameni pritet të pezullohet për një periudhë të caktuar.
Ky incident vjen në momentin më të papërshtatshëm për Real Madridin, vetëm pak ditë para “El Clasicos” vendimtare ndaj Barcelonës.