Ronaldo dhe Messi humbasin miliona ndjekës në Instagram, mësoni arsyen

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi janë mes personazheve më të ndjekura në Instagram, por së fundmi të dy kanë humbur miliona ndjekës pas një aksioni masiv të platformës kundër profileve të rreme dhe joaktive.

Sipas raportimeve, Instagram zhvilloi një “spastrim” të madh të llogarive robotike dhe ‘spam’, duke fshirë miliona profile brenda vetëm gjashtë orëve. Kjo goditi edhe shumë figura të njohura të sportit dhe showbiz-it.

Ronaldo, që vazhdon të jetë personi më i ndjekur në Instagram, thuhet se ka humbur rreth 18 milionë ndjekës. Aktualisht, ‘ylli’ portugez i Al Nassr FC numëron rreth 666 milionë ndjekës në platformë.

Ndërkohë, Messi ka humbur afërsisht pesë milionë ndjekës. Edhe Neymar ka pësuar një rënie prej katër milionë ndjekësish.

Mes personazheve të prekur nga ky aksion janë edhe Dwayne Johnson, Justin Bieber, Donald Trump dhe Kylie Jenner.

Megjithatë, rrjeti social ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për këtë spastrim masiv të ndjekësve.

Pavarësisht humbjes së miliona ndjekësve, Ronaldo vazhdon të jetë figura më fitimprurëse në Instagram. Sipas raportimeve të mëhershme të CNN, portugezi fiton rreth 2.57 milionë paundë për çdo postim të sponsorizuar në platformë.

Në profilin e tij, Ronaldo shpesh publikon momente nga jeta personale, stërvitjet, familja dhe bashkëpunimet e shumta me marka të njohura botërore, duke mbetur një nga figurat më të fuqishme në rrjetet sociale.