I publikon deklaratën kur ankohej për çmimin e naftës, Bardhi: Rama është bërë sot ortak financiar i krizës

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar nga foltorja e Kuvendit kryeministrin Edi Rama për hipokrizi në lidhje me menaxhimin e krizës së çmimeve të karburanteve. Gjatë fjalës së tij, Bardhi transmetoi një incizim të vjetër të kreut të qeverisë, nga koha kur ky i fundit ishte në opozitë, ku dëgjohej teksa ankohej për rritjen e çmimit të naftës dhe akuzonte pushtetin e asaj kohe se mendonte vetëm për përfitimet e veta.

Në seancën parlamentare, ku kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm, Bardhi theksoi se mungesa e tij dëshmon indiferencë ndaj shqetësimit kryesor të qytetarëve. “Do ta sjell unë sot në parlament”, deklaroi Bardhi, përpara se të lëshonte audion ku Rama dëgjohej të thoshte se “problemi është te të gjitha çmimet e tjera që kanë shkuar kacafyt” dhe se “pushteti nuk e ka fare mendjen te qytetari, por vetëm te përfitimet”.

Pas transmetimit të audios, deputeti demokrat e akuzoi Ramën se sot jo vetëm që nuk mban përgjegjësi, por ka rritur taksat mbi karburantet dhe refuzon t'i ulë ato. Sipas Bardhit, kryeministri është kthyer në një “ortak financiar të krizës”, pasi kur çmimet rriten, edhe fitimet e shtetit rriten, dhe këto fitime ekstra, sipas tij, nuk u kthehen qytetarëve, por shkojnë për tendera.

Bardhi vuri përballë propozimin e qeverisë, të cilin e quajti “qesharak” dhe “alibi politike”, me tre propozimet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Ai shpjegoi se paketa e opozitës parashikon uljen e taksës së qarkullimit, uljen automatike të akcizës kur shteti arkëton fitime ekstra nga rritja e çmimeve, si dhe heqjen e akcizës së gazit për industrinë prodhuese vendase.

Fjala e plotë

Sot, si zakonisht, Edi Rama nuk është këtu. Ai nuk vjen në Parlament. Nuk vjen për interpelanca. Nuk vjen për debat. Sepse shqetësimi kryesor i shqiptarëve, çmimet e larta, që ndikohen direkt nga rritja e çmimit të  karburanteve, nuk janë shqetësimi i tij.

Megjithatë, edhe pse Edi Rama refuzon të vijë këtu, të flasë për qytetarët, po e sjell unë sot në Parlament. Jo si kryeministër, por si kryetar opozite. Si Edi Rama i vitit 2011.

Le ta dëgjojnë shqiptarët çfarë thoshte për naftën dhe çmimet në fushatën përpara zgjedhjeve lokale.

EDI RAMA SINKRON (MbI të gjitha, është momenti për të çliruar familjet nga barra e tmerrshme e keqqeverisjes. Sepse nafta ishte 200, ka vajtur 1800. Dhe s’është puna vetëm te çelësi i makinës, se e mbyll makinën. Problemi është tek të gjitha çmimet e tjera. Çmimet kanë shkuar kacafiu. Dhe pse? Sepse pushteti nuk e ka mendjen tek qytetari, e ka tek përfitimet. Tek përfitimet e veta.

E dëgjuat? “Problemi nuk është se po e mbyll makinën nga rritja e naftës. Problemi janë të gjitha çmimet e tjera” Dhe kështu ndodh. Sepse nafta futet tek buka, tek fermeri, tek transporti, tek çdo produkt që paguajnë shqiptarët.

Po pse Edi Rama ndryshe flet në opozitë dhe ndryshe në pushtet? Pse atëherë fajësonte qeverinë për çmimet, ndërsa sot jo vetëm nuk merr asnjë përgjegjësi, por ka rritur taksat për çmimin e naftës dhe refuzon me kokëfortësi t’i ulë ato?

Ka vetëm një përgjigje për këtë: Sot, në vend që të mbrojë qytetarët nga kriza, Edi rama është bërë ortak financiar i krizës. Sepse kur çmimet rriten, ndodh një reaksion zinxhir. Qytetarët paguajnë më shumë, shteti fiton më shumë. Dhe Edi Rama refuzon të heqë dorë nga fitimet ekstra, duke u sjellë si aksioner i çdo litri naftë. 

Edhe për këtë ka një arsye. Sa më e mbushur arka e shtetit, aq më shumë tendera për qeverinë, për lindat, belindat dhe ergysët e Edi Ramës, aq më e lartë fatura e korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës.

Prandaj, kjo qeveri, kjo maxhorancë, ky kryeministër nuk kanë interes për uljen e çmimit. Sepse për ta, nafta është industri gjigande fitimi. E dukshme dhe e padukshme.

Dhe për të qenë sa më konkret. Çfarë kemi sot përpara për të votuar?

Nga njëra anë, kemi një tallje me shqiptarët, një  propozim qesharak të qeverisë, që ndërhyn në akcizë  me vetëm 95 lekë të vjetra dhe vetëm kur çmimi i naftës shkon 2200 lekë për letër. Pra, një mekanizëm ekstrem, që aktivizohet vetëm kur çmimi del jashtë kontrollit. E thënë ndryshe, qeveria pret që qytetarët të digjen mirë, pastaj mendon t’u japë një pikë ujë.

Ky mekanizëm nuk është mbrojtje për qytetarët. Është alibi politike për të mos ulur taksat.

Sepse në momentin që nafta shkon 220 lekë, dëmi në ekonomi ka ndodhur ndërkohë:

Çmimet e ushqimeve janë rritur ,
Çmimi i transportit është rritur
Kostot për çdo familje janë rritur e stër-rritur

Nga ana tjetër kemi tre propozime të Partisë Demokratike që ulin me të vërtetë çmimin naftës dhe zbutin krizën  e  çmimeve dhe koston e jetesës. Janë një mekanizëm i vërtetë europian, që veprojnë për të parandaluar rritjen. Janë kundërta e asaj që bën qeveria. Ne nuk presim që shqiptarët të mësohen me krizën, të mësohen me 4 mijë lekë një kg domate apo 5 mijë lekë një kg speca.

Ne propozojmë:

Uljen e taksës së qarkullimit.
Uljen automatike të akcizës sapo shteti fillon të fitojë ekstra nga rritja e çmimeve.
Dhe heqjen e akcizës së gazit për industrinë prodhuese shqiptare.

Nga kjo ndërhyrje kemi llogaritur një kursim mujor rreth 70 mijë lekë për familje. Vetëm nga ulja e taksës së qarkullimit përfitohet ulje 350 lekë për litër.

Ne nuk i kemi shpikur ndërhyrje të tilla. Në çdo krizë të çmimeve të karburantit, vendet europiane nuk kanë qëndruar në pritje, por kanë ndërhyrë për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë nga goditja e çmimeve.

Ka modele konkrete që janë zbatuar në Europë:

Gjermania ka ulur përkohësisht taksat mbi karburantin për të zbutur rritjen e menjëhershme të çmimeve për qytetarët dhe biznesin.
Austria ka ndërhyrë duke kufizuar marzhet dhe duke marrë masa për të frenuar rritjen artificiale të çmimeve në treg.
Spanja ka subvencionuar drejtpërdrejt çmimin e karburantit në pompë për qytetarët.
Franca ka aplikuar ulje direkte të çmimit për litër dhe mbështetje për grupet më të goditura.
Greqia ka dhënë mbështetje direkte financiare për qytetarët për të përballuar kostot e karburantit.
Irlanda ka ulur akcizën mbi karburantin për të lehtësuar menjëherë barrën mbi qytetarët.
Sllovenia ka vendosur kontroll mbi çmimet dhe ka kufizuar rritjen e tyre në treg.
Turqia ka ndërhyrë përmes sistemit fiskal duke amortizuar rritjen e çmimeve për qytetarët.
Italia ka vendosur një mekanizëm automatik: çdo të ardhur shtesë që shteti merr nga rritja e TVSH-së gjatë krizës, e kthen tek qytetarët përmes uljes së akcizës.

Italinë e lashë për në fund, jo vetëm sepse e kemi marrë si model të propozimit tonë, por për të treguar sesa hipokrit është Edi Rama, kur na thotë se “Ne Gjermani nuk bëhemi dot, por mund të jemi një Itali e  vogël në Bashkimin Europian”. Por, në itali, si në çdo vend normal europian, kur rritet çmimi i naftës, qeveria nuk fiton nga kriza,
Fitimin ua kthen qytetarëve me uljen e akcizës së naftës, njësoj siç po propozojnë ne sot. Edi Rama mund të kishte mësuar fare mirë nga kryeministrja Meloni se në raste të tilla krizash qeveria sakrifikon të ardhura për të mbrojtur qytetarët. Nuk sakrifikon qytetarët për të mbrojtur taksat dhe fitimet e veta të larta.

Të dashur qytetarë,

Partia Socialiste i ka refuzuar të gjitha këto masa që ne kemi propozuar për  t’ju mbrojtur sadopak nga kriza e çmimeve të larta. Prandaj, ju duhet ta dini cfarë po humbni sot konkretisht nga refuzimi i Edi Ramës dhe i deputetëve të tij marioneta.

Nafta do të ishte të paktën 350 lekë më e lirë për litër.
Akciza e gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania” do të zerohej.
Çdo familje shqiptare do ta ndiente menjëherë uljen e kostos së jetesës, tek transporti, ushqimet, prodhimi dhe shërbimet.
Fermerët shqiptarë do të punonin tokën e tyre më lirë. Sot çdo plugim, çdo transport, çdo pompë uji është i lidhur me çmimin e karburantit.
Industria prodhuese dhe eksportuese shqiptare do të ulte ndjeshëm kostot dhe do të bëhej më konkurruese përballë importeve dhe tregjeve të huaja.

Por qeveria i rrëzoi të gjitha dhe la në fuqi këto taksa masakruese, që na e bëjnë jetën më të shtrenjtën në rajon dhe në Europë. Sepse kjo qeveri nuk e sheh karburantin si barrë për qytetarët.E sheh si burim fitimi për veten.

Prandaj, reagojnë gjithmonë vonë, gjithmonë shumë pak dhe vetëm kur kriza është bërë pjesë normale e jetës së njerëzve.

Kjo është strategjia më diabolike e kryeministrit. Ai pret që:

qytetarët të mësohen me çmimet e larta,
bizneset të mësohen me kostot e larta,
familjet të mësohen të heqin dorë nga gjërat bazë, të mësohen me të keqen

dhe të konsiderojnë normale që:

nafta të jetë e shtrenjtë,
ushqimet të rriten çdo muaj,
qeveria të mos ndihmojë.
Qeveria të mos japë llogari
Njerëzit të mos reagojnë dhe, në fund,
Ta konsiderojnë normale që zgjedhjet vidhen dhe vota blihet gjithnjë e më shtrenjtë.

Një strategji e rrezikshme që synon ta kthejë krizën në normalitet, në mënyrë që të mpijë reagimin, të menaxhojë më lehtë pakënaqësinë e qytetarëve, të përfitojë vetë nga kriza.

Tek “Të Mjerët” e Viktor Hygo ka një personazh që quhet Tenardjé. Ai fiton nga halli i njerëzve, fryn faturat, manipulon. Çdo krizë për të, ishte mundësi fitimi. Sa më shumë mjerim ka përreth, aq më shumë fiton ai. Dhe njësoj si Edi Rama, Tenardje nuk do që njerëzit të dalin nga halli, sepse halli i tyre është biznesi i tij.

Por në 8 maj, ne të gjithë, kemi një mundësi për ta refuzuar këtë model diabolik.

Të dashur qytetarë,

Protesta e 8 majit nuk është protestë e një partie. 

Është protesta juaj.

Protesta e njerëzve që nuk pranojnë më të qeverisen nga ternadjetë e pasuruar me  mundin e tyre.

Është protestë e familjeve që refuzojnë të mësohen me krizën dhe të keqen si normalitet.

Të dashur qytetarë!

8 Maji është Dita Juaj.