‘Me votë krimi...’, Berisha: Rama i ka futur thikë pas shpine procesit të integrimit evropian!
Kryetari i PD, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit nuk i kurseu akuzat edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, ku tha se ky i fundit "është i tmerruar" dhe nuk guxon të paraqitet në seancat parlamentare për t'u përballur me opozitën.
Duke u ndalur veçanërisht te çështjet e integrimit evropian, Berisha akuzoi mazhorancën se po injoron qëllimisht raportin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.
Duke iu referuar votimit për ish ministren Belinda Balluku, Berisha u shpreh se me atë "votë krimi", mazhoranca i ka "futur një thikë pas shpine procesit të integrimit evropian të shqiptarëve".
Tani, zonja drejtuese e seancës, absurdi më i madh është diskutimi i këtyre problemeve dhe injorimi i raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.
Lexojeni mirë atë raport dhe del secili nga ju të kuptojë se me atë votë krimi që ka dhënë për Ballukun, i ka futur një thikë pas shpine procesit të integrimit europian të shqiptarëve.
Lexojeni. Media informon se janë bërë mbi 300 ndërhyrje në komision.Lexojeni se fillon dhe mbaron absolutisht sikur ta kishte shkruajtur opozita në kuptimin e denoncimeve të saj, të vërtetave të saj për vite të tëra. Po kjo s'ka ndodhur. Nuk është produkt i opozitës. Ai është produkt i atij misioni faktmbledhës që erdhi këtu, i përbërë nga socialistë, siç e dini vetë, popullorë, konservatorë, liberalë, komunistë, fare të majtë.
Të gjithë kanë votuar një me një, rresht për rresht e gërmë për gërmë atë raport që këtë parlament e bën të paqenë. Atë raport që për zgjedhjet, edhe atë frazë që përdorni ju, se thonë se ishin kompetitive. Ua zhduk nga duart. Ligji është për zgjedhje kompetitive, kurse ju nuk i bëtë kompetitive.
Përkundrazi, thotë. Institucionet e shtetit u shkrinë në një me strukturat e partisë. Pra, bëtë zgjedhje në kushte moniste. Prandaj nuk vjen ai këtu. Nuk vjen ai dot këtu. Nuk mund të vijë. Nuk mund të vijë këtu, sepse ai është autori i aneksimit dhe asgjësimit të parlamentit. Por, vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të kenë në rol qendror parlamentin.
Nuk vjen ai, e kërkojmë. E kërkojnë me interpelanca deputetët, sepse ai qëndron në çdo akt të dosjes Balluku. Ja tha ai, Palloshi gjatë. Po të marrësh ato, tha, mesazhet e tua aty në dosje, janë shumë më të shumta se të miat dhe më të egra.