Pse Shopenhaueri paralajmëronte kundër dijes nga librat

Artur Shopenhauer lindi me 22 shkurt 1788, në 114 Heiliggeistgasse, në qytetin e lirë të Danzigut (sot Gdańsk, Poloni). Babai i tij, Heinrich Floris, ishte një nga tregtarët më të shquar të qytetit. Ai ishte i vendosur që djali i tij i vetëm të bëhej tregtar dhe shpesh e qortonte për qëndrimin e dobët dhe shkrimin e keq.

Në vitin 1793, kur Arturi ishte pesë vjeç, Prusia aneksoi Danzigun. Familja Shopenhauer u zhvendos në qytetin e lirë hanseatik të Hamburgut. Në moshën nëntëvjeçare, Arturi u dërgua në Le Havre në Francë për të jetuar me familjen e një bashkëpunëtori biznesi të babait, Grégoire de Blésimaire, i cili kishte një djalë, Jean Anthime, të së njëjtës moshë me Arturin. Dy vitet që Arturi kaloi në Le Havre ishin, sipas tij, ndër më të lumturat e jetës së tij. Ai u bë i rrjedhshëm në frëngjisht, mësoi të luante flaut dhe krijoi një miqësi që zgjati gjithë jetën me Jean-Anthime. Më vonë, Shopenhaueri do të luante flaut çdo ditë, duke bërë që Niçe të pyeste nëse ai ishte vërtet aq pesimist sa mendohej.

Kur Arturi ishte në mesin e adoleshencës, drejtori i shkollës së tij private, dr. Runge, i cili kishte vënë re potencialin e tij të jashtëzakonshëm, u përpoq të bindte Hajnrih Florisin që ta drejtonte drejt një rruge akademike. Edhe Arturi ushtroi presion mbi të atin. Për ta zgjidhur çështjen në favor të tij, Hajnrih Floris, me dinakëri, i ofroi Arturit një zgjedhje të tipit "Hobson": të qëndronte në Hamburg për të mësuar latinisht dhe për t'u përgatitur për universitet, ose të shoqëronte prindërit në një udhëtim luksoz dyvjeçar nëpër Europë, me kusht që, pas kthimit, të angazhohej në një praktikë si tregtar.

Udhëtimi europian i Arturit: Akademia e Wimbledon-it

Kështu, në vitin 1803, Arturi 15-vjeçar u nis në një udhëtim në Holandë, Britani, Francë, Zvicër, Austri dhe Prusi. Në Angli, ai kaloi 12 javë në akademinë e Reverend Thomas Lancaster-it në Wimbledon, ndërsa prindërit e tij udhëtonin në veri. Mësuesit e konsideronin si një "nxënës të irrituar dhe luftarak". Ai zhvilloi një antipati të fortë ndaj anglikanizmit dhe më vonë e përshkroi përvojën si një lloj "burgosjeje". Megjithatë, ai mësoi rrjedhshëm anglisht dhe më vonë do të shkruante gjermanisht në një stil më të pastër dhe të qartë, të ndikuar nga anglishtja.

Shopenhaueri konsiderohet ende si një nga stilistët më të mëdhenj të gjuhës gjermane. Në veprën "Mbi gjuhën dhe fjalët", ai argumenton se gjuha, megjithëse thelbësore për arsyetimin njerëzor, formëson dhe kufizon mendimet tona. Ajo shpesh shërben si zëvendësim për mendimin e vërtetë dhe na largon nga perceptimi intuitiv dhe veprimi.

Megjithatë, mësimi i një gjuhe tjetër mund të rrisë shtrirjen dhe fleksibilitetin e mendimit, sepse na detyron të ndajmë konceptin nga fjala dhe të rindërtojmë mendimet sipas një strukture të ndryshme. Kjo është edhe më e vërtetë për gjuhët klasike (latinisht dhe greqisht), të cilat kërkojnë përkthim jo fjalë për fjalë dhe detyrojnë një riformulim të mendimit.

Udhëtimi europian i Arturit: Tri varje dhe një burg me punë të detyruar

Turizmi në atë kohë përfshinte jo vetëm bukurinë, por edhe anët e shëmtuara të jetës. Me 8 qershor 1803, Artur pa tri varje nga dritarja e një taverne përballë burgut Newgatenë Londër. Ai shkroi në ditarin e tij të udhëtimit se burrat, pak para se të vareshin, filluan të luteshin: "Njëri prej tyre, që lëvizte duart lart e poshtë ndërsa lutej, bëri të njëjtën lëvizje edhe disa herë pasi kishte rënë."

Me 8 prill 1804, ai vizitoi Bagne de Toulon, një burg i famshëm që më vonë u përshkrua nga ViktorHugote "Të Mjerët". "A mund të mendohet një ndjenjë më e tmerrshme se ajo e njërit prej këtyre fatkeqëve, i lidhur me zinxhir në stol në galerinë e errët, nga e cila vetëm vdekja mund ta çlirojë?"

Më vonë, ai do ta krahasonte të gjithë botën me një burg, dhe këtë periudhë të jetës së tij me "zgjimin" e Budës, kur princi Siddhartha (më vonë Buda) doli nga pallati dhe u përball me "Katër Pamjet": pleqërinë, sëmundjen, vdekjen dhe një murg asket.

Pse Shopenhaueri paralajmëronte kundër dijes nga librat

Nuk ka dyshim se Arturi përfitoi shumë më tepër nga udhëtimet sesa do të kishte përfituar duke qëndruar në një klasë në Hamburg. Sipas tij, përvoja e drejtpërdrejtë i jepte një avantazh ndaj "studiuesve të thjeshtë" ose "filozofëve të librave", sepse mendimi i vërtetë duhet të mbështetet në vëzhgim dhe përjetim personal.

Mbështetja te librat është si "të mendosh me kokën e dikujt tjetër" dhe prodhon vetëm njohuri sipërfaqësore, të cilat, "si një gjymtyrë artificiale, dhëmb i rremë apo hundë prej dylli", nuk janë pjesë e natyrshme e qenies sonë. Ai mendonte (si Zhab-Zhak Rusoja) se fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj "teorive dhe doktrinave" para moshës 16 vjeç.

Në "Mbi leximin dhe librat", Shopenhaueri shkroi: "Për njeriun që studion për të fituar kuptim, librat dhe studimet janë vetëm shkallët e një shkalle me të cilën ai ngjitet drejt majës së dijes. Sapo një shkallë e ngre një hap më lart, ai e lë pas. Nga ana tjetër, shumë prej atyre që studiojnë për të mbushur kujtesën nuk i përdorin shkallët për t'u ngjitur, por i heqin dhe i marrin me vete, duke u gëzuar për peshën gjithnjë e më të madhe të barrës. Ata mbeten gjithmonë poshtë, sepse mbajnë mbi vete atë që duhej t'i kishte ngritur."

Niçe, në veprën autobiografike "Ecce Homo", shkruan:"[Sëmundja] më detyroi të qëndroj i qetë, të jem i papunë, të pres dhe të jem i duruar... Por kjo do të thotë të mendosh! ... Vetëm sytë e mi i dhanë fund të qenit 'krimb librash', me fjalë të tjera... U çlirova nga 'libri', për vite të tëra nuk lexova asgjë, nderi më i madh që i kam bërë vetes!" /Psychology Today – Syri.net