Raphinha mohon largimin nga Barcelona: Ka gazetarë që vetëm gënjejnë
Raphinha ka reaguar ashpër ndaj lajmeve të vazhdueshme për një largim të mundshëm nga Barcelona, duke akuzuar drejtpërdrejt një gazetar për publikim informacioni të rremë.
Sulmuesi brazilian foli për ESPN në prag të ‘El Clásico’-s ndaj Real Madridit, duke shprehur irritimin për spekulimet që e lidhin vazhdimisht me një transferim në Arabinë Saudite.
“Që nga dita e parë kur erdha te Barcelona, flitet për largimin tim. Mendoj se disa njerëz nuk duan të më shohin këtu, sidomos mediet. Ka një gazetar që vetëm gënjen,” deklaroi braziliani.
29-vjeçari tha se janë publikuar vazhdimisht lajme të pavërteta për të ardhmen e tij.
“Ai ka shkruar edhe më parë gjëra të rreme për mua, duke thënë se jam takuar me klubin dhe se kam dyshime për të ardhmen time. Kjo nuk është e vërtetë,” shtoi ai.
Raphinha është rikthyer së fundmi nga një dëmtim i pësuar me Brazilindhe tani është i fokusuar tek objektivi për të fituar titullin në LaLiga.
Sulmuesi theksoi se për të më e rëndësishmja është triumfi në kampionat, pavarësisht kundërshtarit.
“Për tifozët është speciale të fitosh titullin ndaj rivalit më të madh, por për mua më e rëndësishmja është të fitojmë LaLiga-n. Nëse ndodh kundër Realit, aq më mirë,” përfundoi ai.