Pasi kërcënoi SPAK të mos i merrte telefonin dhe mbrojti Ballukun, Rama zotohet...

Pasi kërcënoi prokurorët e SPAK që të mos guxonin ti kërkonin telefonin dhe urdhëroi grupin parlamentar të PS të votonte kundër heqjes së imunitetit për Belinda Ballukun, sot Rama nga Kongresi Botëror i Ligjit u zotua se do punojë për pavarësinë e gjyqësorit dhe barazinë para ligjit. Rama tha se korrupsioni në Shqipëri është çështje e sistemit dhe jo e individit, duke theksuar se kurtheve të këtij sistemi nuk i shpëtojnë as të huajt që vijnë në Shqipëri.

Më 12 Shkurt të 2025 Kryeministri Edi Rama kërcënonte hapur Prokurorët e SPAK që të mos guxonin ti kërkonin telefonin, teksa i njëjti nga Asambletë e PS u kërkonte prokurorëve të SPAK të arrestonin liderët e opozitës.

Ndërkohë në datën 12 Shkurt  2026 më urdhër të Kryeministrit Rama, 82 deputetë të Partisë Socialiste votuan kundër kërkesës së SPAK për ti hequr mandatin deputetes Belinda Balluku, që është nën hetim nga SPAK për afera qindra milionë euro.

Por sot Kryeministri Edi Rama, njeriu i cili vetëm mori në mbrojtje aferën e AKSHIT dhe pastrimin e parave  të pista në ndërtim këtë të enjte në fjalën e tij në Kongresin Botëror të Ligjit që po mbahet në Tiranë tha se nuk do lejojë që të cenohet sistemi i pavarur i drejtësisë që sipas tij është ngritur në Shqipëri dhe ku të gjithë janë barabartë para ligjit.

Nga ana tjetër Kryeministri që qeveris prej 13 vitesh u shpreh se korrupsioni në këtë vend është çështje e sistemit dhe jo e individit, teksa tha se këtij sistemi nuk i shpëtojnë as të huajt duke shigjetuar kështu ambasadorët.

Ndërkohë që në Tiranë po mbahet Kongresi Botëror i Ligjit, doli dhe raporti i Komisionit të Parlamentit Evropian që u ndal tek fakti se drejtësia po pengohet për t’i shkuar deri në fund hetimeve të korrupsionit në nivele të larta dhe gjurmimit të parave, ku iu referua çështjes Balluku, imuniteti i së cilës nuk u dorëzua nga mazhoranca.