Pakistani pret një pakt SHBA - Iran 'së shpejti'

Pakistani tha sot se pret që një marrëveshje midis SHBA-së dhe Iranit të ndodhë “së shpejti”, pa dhënë një afat kohor.

"Islamabadi do të mirëpriste një zgjidhje midis Iranit dhe SHBA-së, kudo që ajo të arrihej", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Tahir Andrabi, sipas gazetës lokale Dawn.

“Nëse një marrëveshje arrihet në Pakistan, do të ishte një nder për ne”, u tha ai gazetarëve në Islamabad.

Megjithatë, Andrabi refuzoi të konfirmojë detaje për një pakt të mundshëm, në mes të raportimeve të mediave amerikane se Washingtoni dhe Teherani po i afrohen një memorandumi mirëkuptimi në një faqe.

Burime të qeverisë pakistaneze thanë më herët për Anadolu se pritet të presin një raund të dytë të bisedimeve të bllokuara të paqes midis SHBA-së dhe Iranit javën e ardhshme për t’i dhënë fund luftës.

Burimet shtuan se Pakistani pret që SHBA-ja dhe Irani të arrijnë një marrëveshje “fillestare” para vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Kinë, e cila është planifikuar për fundin e javës së ardhshme.

Pakistani kishte pritur raundin e parë të negociatave midis Washingtonit dhe Teheranit më 11–12 prill, por ato nuk prodhuan një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Bisedimet pasuan një armëpushim dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani më 8 prill, i cili më vonë u zgjat nga Trumpi./ AA.