Brenda fabrikës suedeze që po ndihmon për të riarmatosur Europën
Nga Sylvia Pfeifer - FT/
Në pyjet e Suedisë veriore, tri automjete të blinduara gumëzhijnë në një pistë testimi, duke provuar aftësitë e tyre për forcat e armatosura europiane përpara një përballjeje të mundshme në të ardhmen me Rusinë.
BAE Systems Hägglunds, një degë e kompanisë më të madhe britanike të mbrojtjes që prodhon këto automjete në qytetin pranë Örnsköldsvik, po përfiton nga vala e riarmatimit të Europës pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia katër vite më parë. Kompania po përgatitet për një blerje të përbashkët me vlerë miliarda dollarë nga Suedia, Finlanda, Norvegjia, Lituania dhe Holanda për rreth 500 automjete të saj më të fundit të këmbësorisë CV90, gjë që pothuajse do të dyfishonte porositë e saj.
Kjo blerje e përbashkët synon të ulë kostot dhe të forcojë bashkëpunimin në Europë, ku mënyra e fragmentuar e prokurimit është vënë nën lupëqë nga lufta në Ukrainë. Administratori i Hägglunds, Tommy Gustafsson-Rask, tha se nevoja urgjente për riarmatim po i shtyn shumë qeveri të pranojnë më shumë standardizim në pajisje se më parë.
"Duke parë situatën e sigurisë, klientët tanë i duan pajisjet dje... Ata janë gati të bëjnë kompromis," tha ai, duke shtuar: "Siç më tha një shef ushtrie, 'nëse është e mirë për shefin e ushtrisë holandeze, është e mirë edhe për mua'."
Një kontratë, që Gustafsson-Rask pret të nënshkruhet në tremujorin e tretë, do t'i shtohej një portofoli porosish prej 600 njësish, me dorëzimin e fundit në vitin 2032. Kompania po prodhon gjithashtu më shumë nga automjetet e saj të terrenit të vështirë BvS10.
Si do të realizohen këto porosi është një prioritet kryesor; kompania nuk jep shifra të sakta, por thotë se po zgjerohet për të prodhuar pesë herë më shumë automjete sesa para luftës në Ukrainë. Në vitin 2020 prodhonte rreth 50.
BAE ka investuar 300 milionë dollarë gjatë pesë viteve të fundit për të rritur prodhimin në Hägglunds dhe planifikon edhe 150 milionë të tjera në dy vitet e ardhshme. Kapaciteti i prodhimit, përfshirë edhe montimin në vendet kliente, është rritur me 400% që nga viti 2021, ndërsa numri i punonjësve është më shumë se trefishuar në 2600, duke e bërë Hägglunds punëdhënësin më të madh në një qytet me vetëm 56,000 banorë.
Shitjet janë rritur nga rreth 200 milionë dollarë në vitin 2020 në 1.1 miliardë vitin e kaluar, ku programet CV90 përbëjnë pjesën më të madhe.
Klientët e Hägglunds kanë ende njëfarë fleksibiliteti në specifikimet përfundimtare të automjeteve. Në Örnsköldsvik bëhet montimi i shasisë së CV90 dhe puna kryesore strukturore, por kullat dhe komponentët e ndryshëm, si sistemet e armëve, mund të shtohen në vendet e klientëve për të përmbushur kërkesat specifike. Një pjesë e prodhimit jepet edhe me nënkontraktim.
Këtë javë në fabrikën e Örnsköldsvik-ut, dy punëtorë po përpunonin dhe përkulnin një pllakë mbrojtëse kundër minave që vendoset poshtë shasisë së CV90, duke përdorur një presë të fuqishme hidraulike. Aktualisht puna bëhet në dy turne prej tetë orësh, por mund të kalojë në tre nëse është e nevojshme.
Po investohet edhe në printimin 3D,Hägglunds ka bashkëpunuar me kompaninë suedeze Saab për të zhvilluar konceptin e "mikrofabrikës", ku kjo teknologji mund të përdoret në vijën e frontit për prodhimin e shpejtë të pjesëve rezervë.
Ky zgjerim shënon një ndryshim të madh krahasuar me vitet pas Luftës së Ftohtë, kur kishte pak klientë dhe kompania po ulte kapacitetin. Gjërat filluan të ndryshonin pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, tha Gustafsson-Rask. "Ai ishte momenti i kthesës dhe Europa filloi të mendojë ndryshe."
Analisti Sash Tusa nga Agency Partners tha se Hägglunds ka qenë një sukses i ngadaltë për 30 vite, por tani është bërë mjaftueshëm e madhe për të ndikuar dukshëm te BAE, e cila raportoi të ardhura prej 30.7 miliardë paundësh vitin e kaluar.
Ai shtoi se fleksibiliteti i kompanisë në tenderë dhe aftësia për t'u ofruar klientëve montim lokal ose ndarje pune sipas nevojës ka qenë çelësi i suksesit dhe i realizimit të porosive.
Suksesi i CV90, variantet e para të të cilit hynë në shërbim në ushtrinë suedeze në fillim të viteve '90, qëndron në kontrast të fortë me programin problematik britanik Ajax, i cili është përballur me vonesa dhe tejkalime kostosh.
Gustafsson-Rask tha se do të ishte i hapur për bisedime me qeverinë britanike nëse ajo do të ishte e interesuar për CV90. "Ata gjithmonë mund të vijnë të flasin me ne." Duke pasur parasysh numrin e madh të porosive, ai shtoi se kompania mund të duhet të shqyrtojë modele të reja biznesi, si prodhimi me licencë.
Lufta në Ukrainë dhe përdorimi i gjerë i dronëve kanë bërë që disa të vënë në dyshim rolin e automjeteve të blinduara. Zbulimi dhe reagimi ndaj dronëve është bërë një sfidë gjithnjë e më e madhe. Estonia muajin e kaluar u tërhoq nga blerja e përbashkët e CV90, duke thënë se do të fokusohej te mbrojtja ajrore dhe do të përmirësonte flotën ekzistuese.
Nick Reynolds nga Royal United Services Institute tha se "në disa qarqe ekziston ideja që automjetet e blinduara nuk do të jenë të rëndësishme në të ardhmen".
Megjithatë, ai shtoi se edhe pse teknologjia kundër dronëve që mbron automjetet ka mbetur prapa në teknologjinë të dronëve deri tani, ndërgjegjësimi për rëndësinë e saj ka nxitur shumë kërkim dhe investime.
Gustafsson-Rask tha se tërheqja e Estonisë do të ketë vetëm një ndikim "minimal" në kontratën e CV90. Kompania ka përfituar edhe nga përvoja e luftës në Ukrainë; Suedia i ka dhuruar Kievit 50 CV90 më të vjetër. Versionet më të reja kanë teknologji kundër dronëve, përfshirë sisteme vëzhgimi, bllokues sinjali dhe mbrojtje aktive.
Ai tha se edhe pse dronët"janë këtu për të qëndruar", edhe automjetet e këmbësorisë do të mbeten të rëndësishme. "Nëse do të fitosh luftën, të duhen automjete të këmbësorisë dhe tanke, sepse duhet të kontrollosh dhe të marrësh territorin." / FT – Syri.net