Rama dhe Peleshi ‘shkelmojnë’ raportin e Parlamentit Evropian, zhdukin fjalën interpelancë nga Kuvendi
Vetëm pak ditë pasi Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian publikoi një raport të ashpër kundër qeverisjes, duke nënvizuar se parlamenti nuk po funksionon, ndërsa opozitës po i mbyllet çdo hapësirë kontrolli mbi qeverisjen, vjen një tjetër goditje ndaj parlamentarizmit.
Edi Rama dhe Niko Peleshi kanë vendosur të zhdukin fjalën interpelancë nga qarkullimi.
Edhe pse interpelancat janë jetike për funksionimin e Kuvendit, ato janë injoruar vazhdimisht nga Edi Rama.
Por tashmë interpelancat po injorohen edhe nga ana e ministrave, madje edhe kur nuk kërkohen nga opozita, por nga vetë deputetët e majtë.
Deputeti i PS-së, Erion Braçe tha sot se ministri i Bujqësisë, Andis Salla kishte refuzuar interpelancën me të. Ai tha se e kupton se disa në qeveri nuk duan të punojnë.
““E kuptoj që edhe në zyra shteti ka njerëz që nuk duan ta bëjnë punën, por të kenë këtë mungesë respekti për Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht që është e tepërt. Po marr një shembull: i jam drejtuar Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe kam marrë dy përgjigje, një prej agjencisë që thotë nuk është kompetencë imja dhe një përgjigje nga ministri që thotë 's’dua të bëj interpelancë me ty’ se nuk e kam kompetencën. E kuptoj që ka njerëz në qeveri që s’duan ta bëjnë punën e tyre, unë jam këtu për të bërë punën time. Nëse kjo histori vazhdon kështu që 7 kërkesave s’u përgjigjet askush, më mirë na thoni mos të bëjmë kërkesë për marrje informacioni dhe interpelanca”, tha Braçe.
Ndërkohë u refuzuan edhe dy kërkesa për interpelancë nga partia Mundësia.
Kujtojmë që interpelancat janë të detyrueshme, por mazhoranca po i rrëzon në mënyrë skandaloze me forcën e kartonëve, diçka që shkon në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.