FIFA zgjeron dënimin për Prestiannin, rrezikon të humbasë Botërorin

FIFA ka vendosur të zgjerojë në nivel të përgjithshëm dënimin ndaj Gianluca Prestiannit, lojtar i Benfica-s, për sjellje të papërshtatshme gjatë një ndeshjeje në UEFA Champions League kundër Real Madridit (ofendoi me fjalër raciste Vinicius Junior-in).

Sipas vendimit të Komitetit Disiplinor të FIFA-s, i cili pranoi kërkesën e UEFA-s, pezullimi prej gjashtë ndeshjesh i vendosur fillimisht nga UEFA do të ketë efekt në të gjitha garat ndërkombëtare.

Ky vendim mund t’i kushtojë sulmuesit 20-vjeçar pjesëmarrjen në Kupën e Botës, duke rrezikuar të humbasë ndeshjet e para të Argentinës në turneun që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Prestianni ishte dënuar pas një incidenti me Vinícius Júnior-in, gjatë të cilit u akuzua për sjellje ofenduese me karakter homofobik. Hetimi nisi pas pretendimeve për fyerje të drejtuara ndaj ‘yllit’ të Real Madridit.

FIFA konfirmoi vendimin përmes një zëdhënësi të cituar nga mediet ndërkombëtare, duke theksuar se pezullimi i UEFA-s do të zbatohet në nivel botëror.

Sipas rregullores, lojtari mbetet i gatshëm për disa ndeshje me Benfica-n në kampionat dhe për një ndeshje miqësore të Argjentinës, por nuk mund të aktivizohet në ndeshjet zyrtare ndërkombëtare gjatë periudhës së dënimit.

Fillimisht, tri nga gjashtë ndeshjet e pezullimit ishin me kusht, por Prestianni ka përfunduar tashmë një ndeshje dënim, pasi ishte pezulluar përkohësisht gjatë fazës së hetimeve.

Rasti ka marrë vëmendje të madhe edhe për shkak të debateve të hapura rreth sjelljes në fushë dhe përdorimit të gjuhës ofenduese në futbollin europian, duke e kthyer çështjen në një nga temat më të diskutuara të momentit.