Bardhi - Peleshit: Po mbroni korrupsionin dhe po na përjashtoni nga Këshilli i Integrimit...

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës gjatë seancës së sotme parlamentare, duke e akuzuar atë për pengim të drejtësisë dhe përjashtim të opozitës nga procesi i integrimit evropian. Gjatë fjalës së tij Bardhi u fokusua te raporti i fundit i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i cili, sipas tij, përmban “njolla të zeza” për vendin, të shkaktuara nga veprimet e qeverisë.

Sipas deputetit demokrat, një nga pikat më problematike të evidentuara në raport lidhet me votimin në Kuvend kundër kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. “Për fat të keq, mazhoranca ka kontribuar që në këtë raport të ketë njolla të zeza për Shqipërinë, që vështirësojnë procesin e integrimit. Siç është vota juaj, 83 kartonat kundër për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin e ish-zëvendëskryeministres”, deklaroi Bardhi. Ai shtoi se Parlamenti Evropian kujton se imuniteti nuk shërben për të mbrojtur individët nga drejtësia, por për të mbrojtur institucionet.

Në fjalën e tij, Bardhi propozoi që Kuvendi të zhvillojë një debat të posaçëm mbi gjetjet e këtij raporti dhe të hartojë një plan pune për adresimin e problematikave. Megjithatë, ai denoncoi atë që e quajti një qasje hipokrite të mazhorancës, e cila kërkon bashkëpunim, por në praktikë përjashton opozitën.

Gazment Bardhi: Sikundër ju jeni në dijeni, besoj dhe kolegët deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, në datë 5 maj 2026, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian, në mënyrë pothuajse unanime ka miratuar raportin për vitin 2025 për Shqipërinë, ku sigurisht evidentohen edhe çështje dhe problematika që do të duhet të trajtohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Do të ishte një lajm i mirë që Kuvendi i Shqipërisë të luante gjatë gjithë vitit 2025 një rol në përmbushjen e shqetësimeve të ngritura nga Parlamenti Evropian.

Për fat të keq, ka kontribuar që në këtë raport të ketë edhe njolla të zeza për Shqipërinë, që vështirësojnë procesin e integrimit evropian, siç është vota juaj 83 kartonat kundër për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe Parlamenti Evropian ju kujton që imuniteti nuk është për të mbrojtur korrupsionin, por është për të mbrojtur institucionet. E sa kohë nuk ka asnjë arsye për t'u shqetësuar për funksionimin e institucioneve, nuk do të duhet të kishte asnjë ndërhyrje politike në këtë çështje. Lajmi i mirë në atë raport, zoti kryetar, është që vlerësohet kontributi apo angazhimi i të gjitha forcave politike në procesin e integrimit evropian. Pra, fakti që Shqipëria është nga ato vende ku të gjitha forcat politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, mbështesin procesin e integrimit evropian. Kësisoj do të ishte e udhës që Kuvendi i Shqipërisë të diskutonte sot,  në këtë seancë plenare në lidhje me këtë raport të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian dhe sigurisht të kishim mundësi ta shndërronim atë në një plan pune të Kuvendit të Shqipërisë. Meqenëse jemi tek procesi i integrimit, zoti kryetar, dua t'ju sjell në vëmendje që mazhoranca në këtë kuvend, e cila në mënyrë të vijueshme është duke bërë veprime për përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, vazhdon me të njëjtën rrugë edhe gjatë këtyre ditëve ku ky raport bën thirrje për bashkëpunim mes palëve në procesin e integrimit.

Nesër keni thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Anëtarët e atij këshilli janë njohur me agjendën e këshillit dhe unë dua të informoj këta që ngrihen herë pas here në foltore dhe kërkojnë bashkëpunimin e opozitës në procesin e integrimit, ndërkohë që i vetmi forum ku opozita është e përfaqësuar që është Këshilli Kombëtar i Integrimit, na vjen një agjendë që nis me Taulant Ballën dhe mbyllet me 10 Taulant Balla të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Dhe në agjendë, edhe pse është një organ që do të duhet të përfaqësojë mazhorancën dhe opozitën, nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës. Ky është bashkëpunimi që kërkoni ju me opozitën për procesin e integrimit evropian.