Çoku: Strategjia për rininë ka dështuar, Shqipëria po plaket nga largimi i tyre
E ftuar në studion e “Kafe Shqeto”, Belioza Çoku, pedagoge, sociologe dhe aktiviste, foli mbi krizën e largimit të të rinjve nga Shqipëria, ku u shpreh se politikat shtetërore dhe strategjitë për rininë kanë dështuar, ndërsa mungesa e meritokracisë, e mundësive dhe e mbështetjes për profesionistët po e shtyn rininë drejt emigrimit.
Sipas saj, të rinjtë po ndihen të braktisur dhe pa perspektivë në vendin e tyre, ndërsa Shqipëria po përballet çdo ditë me plakjen e popullsisë dhe zbrazjen e vendit nga forca më aktive e shoqërisë.
Çoku theksoi se pa investim real tek rinia, pa vlerësim të profesionistëve dhe pa politika konkrete zhvillimi, çdo premtim për bujqësinë, turizmin apo transformimin dixhital mbetet thjesht propagandë dhe një ëndërr e parealizueshme.
Pjesë nga deklarata:
Arsimi, shëndetësia dhe njerëzit e privuar nga liria tregojnë si funksionon një shtet. Besoj se keni statistika mjaftueshëm, por edhe sapo unë i them këto tre fjali, të gjithë njerëzit kanë memorie fotografike të mjaftueshme.
Shikoni strategjinë për rininë, nga mosha 15 deri 29 vjeç. Që, po ta vësh re, është edhe një moshë që kap disa grupmosha brenda, sepse janë në faza të ndryshme të jetës.
Shkoni pyesni Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, çfarë rezultatesh ka? Si është strategjia? Edhe kjo është shumë e kollajtë. Çfarë të rezulton ty nga strategjia e rinisë? Që ka ikur rinia. Kjo ka qenë strategjia?
Bënim trajnime nëpër nivele lokale dhe në bashkira dhe i thoshim: po mirë mo, çdo pjesë e Shqipërisë ka pikat e veta të forta. Është si puna e një njeriu që ka pikat e forta dhe të dobëta.
Nuk ka shanse që ti të rinjtë aty t’i lësh gjithë ditën në bilardo ose t’i lësh në një pasivitet aq të rëndomtë, sa ata ndihen të neglizhuar dhe të lënë pas dore, sa gjithmonë duhet të mendojnë që... Pse, ju mendoni vërtet që të rinjtë shqiptarë e paskan me kaq qejf me shku për shtëpi bari në Angli?
Ajo ka risqe, ajo ka stres, ajo ka një regjim funksionimi të sistemit nervor komplet, jo në përshtatje dhe jo të shëndetshëm, edhe me moshën, edhe me zhvillimin, pa i futur elementët kulturorë dhe bashkëjetesën me 1001 pikëpyetje. Kush, pse e paskan me aq qejf? Normal që s’e kanë qejf.
Por, nga ana tjetër, oferta është të pasurohesh menjëherë. Sepse, me sa po shohim, të gjitha politikat... Administrata ka rënë në ato nivele sa nuk ka më profesionistë, por profesionisti nuk e bën dot po-po, mirë-mirë, në mënyrë repetitive, edhe duke qenë një gjë pa kuptim aty tek institucioni.
Ai do të japë kontributin, se ajo është sfida e profesionistit.
Dhe unë duhet të punoj dy punë me gjithë profesionin që kam, sepse çmimet janë gjithmonë joproporcionale në raport me këtë produktin që arrin ti. Dhe ti thua produktiviteti të jetë në rregull, ndërkohë që është duke i bërë llogari pronari.
Po ti do t’ia bësh llogarinë pronarit që e ka mbrapa. Ose shefit, i cili thotë: “S’jam unë asesisoj këtu.” Çfarë? Ti japësh leksion për meritokracinë?
Mblidhni mendtë e kokës, t’i rrisni të rinjtë këtu, sepse po plaket Shqipëria. Dhe nuk vlejnë më pastaj as bujqësia, as turizmi, as të gjitha vizionet dixhitalizuese ose ëndrrat dixhitale për të bërë një Shqipëri të bukur.