Al-Khelaifi, me superlativa për Luis Enrique-n: Vendimi im më i mirë në 15 vite

Paris Saint-Germain po jeton një nga momentet më të mëdha në historinë e tij, pas kualifikimit në finalen e UEFA Champions League, dhe presidenti Nasser Al-Khelaifi nuk e fsheh aspak entuziazmin për projektin e ndërtuar në Paris.

Ai ka vlerësuar maksimalisht trajnerin Luis Enrique, duke e cilësuar si vendimin më të rëndësishëm të tij në krye të klubit francez.

“Luis Enrique është realisht aset i jashtëzakonshëm, vendimi im më i mirë. Kam folur për të për 15 vite për ta sjellë te PSG. Ai është një trajner fantastik, ndoshta më i miri në botë, por edhe si person është i jashtëzakonshëm në menaxhimin e përditshmërisë, lojtarëve dhe gjithçkaje rreth ekipit,” deklaroi Al-Khelaifi.

Presidenti i PSG-së theksoi gjithashtu se spanjolli ka ndryshuar mënyrën e të luajturit të futbollit jo vetëm në Paris, por në nivel global.

“Luis Enrique ka revolucionarizuar futbollin, jo vetëm te PSG, por në gjithë futbollin. Jam shumë krenar për të dhe për atë që po ndërtojmë,” shtoi ai.

Al-Khelaifi vlerësoi edhe mentalitetin e skuadrës, duke e përshkruar grupin si një familje të vërtetë, ku lojtarët luftojnë së bashku brenda dhe jashtë fushës.

“Është një krenari të kemi Luis Enrique këtu. Këta lojtarë po bëjnë histori. Nuk janë vetëm futbollistë, janë luftëtarë të vërtetë. Ne kemi ADN fituese dhe sot e treguam,” u shpreh ai.

Duke folur për të ardhmen, presidenti i PSG-së u tregua edhe më ambicioz, duke parashikuar një epokë të artë për klubin.

“Ky është një projekt për të ardhmen. Mund të kemi lojtarë që fitojnë Topin e Artë në 3, 4 apo 5 vitet e ardhshme, me profile të ndryshme,” tha Al-Khelaifi.

Në përfundim, ai theksoi unitetin brenda skuadrës dhe atmosferën pozitive që ka krijuar Luis Enrique në dhomat e zhveshjes:

“Si punojnë së bashku, si jetojnë së bashku, si mbrojnë në fushë dhe jashtë saj… kjo është ajo që më pëlqen te ky ekip. Është një familje e vërtetë e PSG-së,” përfundoi presidenti i klubit parisien.