Shqipëria në kolaps, Nasto: Qeveria ka dështuar - Po na ikin punëtorët, do sjellim nga Bangladeshi…
Ekonomia shqiptare po përballet me një krizë të thellë produktiviteti dhe një hemorragji të pandalshme të forcës punëtore. Alarmin e jep Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Mesëm dhe të Vogël që ishtë i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto në Syri tv. Ai gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri paralajmëroi se nëse nuk merren masa urgjente, Shqipëria do të detyrohet të importojë punëtorë nga vende si Bangladeshi dhe Filipinet për të mbajtur gjallë ekonominë.
Duke komentuar të dhënat që tregojnë se prodhimi vjetor i një punonjësi shqiptar është vetëm 34,580 euro, Nasto thekson se shkaku kryesor i kësaj situate nuk është dembelizmi, por një sistem i kalbur që nis me pagat skandaloze, të ulëta. “Mos harrojmë që jemi vendi i fundit në Evropë që kemi paga më të ulëta për punonjësit,” deklaroi ai.
Sipas tij, kjo është arsyeja kryesore pse rinia dhe fuqia aktive po largohen masivisht nga vendi. Ai akuzon si qeverinë, ashtu edhe biznesin, se kanë dështuar plotësisht në krijimin e kushteve për të mbajtur punonjësit në Shqipëri. Nasto denoncon një fenomen tronditës dhe të paligjshëm, ku punonjësit detyrohen t’i kthejnë një pjesë të rrogës pronarit nën dorë. “I marrin rrogat nga banka, por të nesërmen vijnë ia kthejnë një pjesë të lekëve përsëri pronarit. Punojnë me dy standarde,” shprehet ai, duke e cilësuar këtë si një nga praktikat abuzive që shkatërrojnë produktivitetin.
Ai akuzon qeverinë, për mungesë të një plani ekonomik afatgjatë dhe për politika klienteliste si ajo e patronazhistëve, që minojnë besimin dhe sigurinë në vendin e punës. Gjithashtu, ai thekson se mentaliteti i biznesit në Shqipëri ka mbetur peng i “tezave komuniste 45-vjeçare”, ku punëtori nuk respektohet dhe vlera e tij nuk çmohet.
Flavio Qarri: Po flasim për produktivitetin dhe cilësinë e punonjësve që ofron sot Shqipëria. Prodhimi vjetor i një punonjësi shqiptar, të paktën për statistikën që kemi para syve, është 34,580 euro.
Albert Nasto: Problemet e ekonomisë shqiptare janë të mëdha dhe në shumë fusha, në shumë drejtime.
Unë e di që plani ekonomik i qeverisë dhe plani i punësimit dhe i produktivitetit është i pamjaftueshëm. Ose ne nuk e njohim fare se çfarë vendi jemi. Ekonominë e kemi drejtuar drejt turizmit, drejt prodhimit të frutave, drejt prodhimit të blegtoral apo drejt prodhimeve të tjera. Pra, qeveria nuk ka një plan se çfarë do bëhet.
Ka një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Këta kanë vetëm një plan afatshkurtër, qeveria flas. Meqë u zu në panel fjala e produktivitetit dhe ne jemi mosproduktiv, ose nuk kemi atë produktivitetin që duhet të kemi. Në radhë të parë, ata punonjës që ne marrim në punë. Por nuk është kjo e gjitha. Unë them që kryesorja në produktivitet është lartësia shkollore, por kryesorja është pagat, financat që ata marrin. Mos harrojmë që jemi vendi i fundit që kemi pagat më të ulta në Evropë për punonjësit.
Ne nuk kemi ditur të mbajmë punonjësit deri tani dhe në një farë mënyre, si qeveria, por edhe biznesi i madh dhe i vogël, po flas për kompanitë e mëdha, nuk kanë ditur të mbajnë forcën aktive që është rinia, apo dhe ato 40-50 vjeçare. Nuk nuk u kanë dhënë hakun që ju takon. Që do të thotë që edhe sot që flasim, punojnë me dy standarde, i marrin rrogat që nga banka, por të nesërmen vijnë ja kthejnë pronarit lekët. Domethënë një pjesë të lekëve ja kthejnë përsëri pronarit. Dhe këtu, po themi që është një seri gjërash që ndikojnë në produktivitet. Por, çështja e produktivitetit dhe e lartësisë shkollore është që, në radhë të parë, të punësuarit të jenë të papaguar. Kemi rrogat më të ulëta në rajon dhe Evropë. Dhe s'kemi produktivitet.
Pse shqiptari shkëlqen aty ku vete? Në çdo vend, flasim për Greqi, flasim për në vendet fqinje në Mal të Zi që kanë vërshuar me mijëra shqiptarë që punojnë, me mijëra shqiptarë punojnë në Greqi, me mijëra shqiptarë punojnë në Itali, me mijëra shqiptarë apo familje shqiptare punojnë në Angli e gjetkë, qoftë dhe në Amerikë. Ata, për atë punë që bëjnë, paguhen. Kurse punonjësi ynë nuk paguhet ashtu siç duhet. Një kamerier nuk merr atë pagë që merr në Greqi, apo atë pagë që merr në Itali. Prandaj ne të gjithë së bashku, po flas sidomos ato kompanitë e mëdha, resortet e mëdha, kompanitë e mëdha, nuk bëjnë një politikë.
Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë në televizion që të bëhet një politikë që të mbajnë forcat aktive të punës, t'i mbajmë këtu. Pse nuk qëndrojnë këtu? Po të kishte rroga të mira, kushte të mira, plus atë që u tha në panel, siguria e jetës, siguria e punës së nesërme, politikat e gabuara të kësaj qeverie, politika që përdor, vetëm për të punësuarit, patronazhistët… e të tjera. Këto ndikojnë direkt në atë që do të punësohet në Shqipëri. Kemi një, edukatë shumë të dobët në drejtim të të bërit biznes. Vazhdojmë akoma me, ato teza komuniste të një Shqipërie komuniste 45 vjeçare. Nuk e çmojmë dot që punëtori është i pari. Punëtori duhet respektuar, punëtori ka nevojë, punëtorit duhet t'i rritësh rrogën dhe jo t'i përgjigjesh në një mënyrë të atillë që ai të largohet nga ky vend, të mendojë se si të largohet nga ky vend. Prandaj them janë shumë faktorë që ndikojnë në produktivitet. Por në qoftë se do vazhdojmë me këtë mentalitet qëtë pasurohemi për një kohë të shkurtër dhe t'ju hamë hakun punëtorëve, të punësuarve apo rinisë, atëherë ne së shpejti do mbarojmë dhe do mendojmë pastaj si të marrim punëtorë nga Bangladeshi apo punëtorë nga Filipinet....