Luis Enrique: U mbrojtëm si engjëj ndaj Bayern-it

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij pas kualifikimit në finalen e UEFA Champions League, duke eliminuar Bayern-in

Në prononcimin për Movistar+, tekniku spanjoll pranoi se ndeshja në Gjermani ishte tepër e vështirë, por theksoi se PSG tregoi karakter dhe disiplinë të jashtëzakonshme në fazën mbrojtëse.

“Nuk jemi mësuar të mbrohemi shumë, por ndaj Bayern-it u mbrojtëm si engjëj”, deklaroi Luis Enrique pas përfundimit të takimit.

Ai kujtoi se skuadra parisiene kishte fituar edhe ndeshjen e parë në Paris dhe se lojtarët besonin se mund ta përsërisnin suksesin edhe në transfertë. Sipas tij, PSG ka kaluar një sezon të komplikuar, të shoqëruar me dëmtime dhe sfida të vështira në rrugën drejt finales.

Megjithatë, trajneri spanjoll nënvizoi se mentaliteti dhe ambicia e grupit kanë qenë vendimtare.

“Duam të vazhdojmë të shkruajmë historinë e klubit. Kjo skuadër ka treguar personalitet dhe uri për sukses”, u shpreh ai.

Në finalen e madhe, PSG do të përballet me Arsenalin e drejtuar nga Mikel Arteta. Luis Enrique foli me respekt për rivalin anglez, duke e cilësuar Arsenalin një skuadër shumë të fortë, por njëkohësisht tregoi besim të plotë te filozofia dhe loja e ekipit të tij.

Finalja pritet të jetë një duel spektakolar mes dy skuadrave që kanë impresionuar gjatë gjithë sezonit në Champions League.