Rusia thirrje vendeve të huaja të evakuojnë diplomatët nga kryeqyteti i Ukrainës

Rusia i ka bërë thirrje vendeve të huaja që të evakuojnë diplomatët dhe personelin tjetër nga kryeqyteti ukrainas Kiev, për shkak të mundësisë së “sulmeve hakmarrëse” nëse Ukraina kryen ndonjë sulm gjatë festimeve të Ditës së Fitores më 9 maj.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se një notë u është dërguar të gjitha misioneve diplomatike të huaja dhe përfaqësive të organizatave ndërkombëtare të akredituara pranë ministrisë.

Në notë i referohet një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes të lëshuar të hënën, e cila përmendte deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy të së njëjtës ditë.

Në notë u bëhet thirrje autoriteteve të vendeve përkatëse dhe drejtuesve të organizatave që ta marrin “me përgjegjësinë më të madhe” deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të sigurojnë “evakuimin në kohë” nga Kievi të personelit diplomatik dhe civil, si dhe të qytetarëve.

Gjithashtu përmendet “pashmangshmëria e një sulmi hakmarrës” nga Rusia ndaj Kievit, përfshirë edhe “qendrat e vendimmarrjes”, nëse Ukraina kryen sulme gjatë festimeve të Ditës së Fitores më 9 maj.

Në një fjalim në seancën inauguruese të samitit të 8-të të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin armen Jerevan, Zelenskyy kujtoi se Rusia ka njoftuar se paradën e 9 majit në Moskë do ta mbajë pa pajisje ushtarake.

“Nëse kjo ndodh, do të jetë hera e parë pas shumë vitesh. Ata nuk mund të përballojnë pajisje ushtarake dhe frikësohen se dronët mund të fluturojnë mbi Sheshin e Kuq”, tha Zelenskyy.

Më 29 prill, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kolona e pajisjeve ushtarake nuk do të marrë pjesë në paradën e këtij viti “për shkak të situatës aktuale operacionale.”/ AA.