Sondazhet në SHBA, eksperti Dritan Nesho shpjegon presidencën e Trump dhe rolin e ‘ëndrrës amerikane’

Eksperti i sondazheve Dritan Nesho deklaroi se trendet e fundit të matjeve të opinionit publik në SHBA tregojnë një rënie të mbështetjes për presidentin Donald Trump, ndërsa klima politike mbetet e paqëndrueshme përpara zgjedhjeve të ndërmjetme.

Deklaratat e tij erdhën në kuadër të prezantimit të një sondazhi të ri në partneritet me Forbes dhe kompaninë e tij HarrisX, që synon të zëvendësojë matjet tradicionale të Gallup mbi besimin publik dhe performancën presidenciale.

Sipas të dhënave të prezantuara, miratimi për punën e presidentit qëndron në nivele relativisht të ulëta, ndërsa indikatorët kryesorë si ekonomia, inflacioni dhe tregtia shfaqin vlerësime negative.

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me perceptimin e qytetarëve për të ardhmen. Sipas sondazhit, pavarësisht vështirësive ekonomike, rreth dy të tretat e amerikanëve vazhdojnë të besojnë te ‘ëndrra amerikane’ dhe mundësia për një jetë më të mirë përmes punës së palodhur.

Gazetarja: Pra, Dritan, na jep pak një ide për Gallup-in, me 88 vite histori, që ka pasur besimin e publikut. Ata që lexojnë rezultatet, a mund të presin amerikanët të njëjtin nivel saktësie dhe procesi për rezultatet që do të ndajmë sot me shikuesit tanë?

Dritan Nesho: Po, Mika. Ne kemi riprodhuar pyetjet kryesore që ka përdorur Gallup për të ndjekur performancën presidenciale në mënyra të ndryshme. Kemi krijuar gjithashtu një panel me metoda të përziera. Pra, bëjmë shumë intervista telefonike si Gallup, por kemi shtuar edhe sondazhe online për të siguruar përfaqësim më të mirë, sidomos tek të rinjtë, të cilët shpesh nuk u përgjigjen telefonatave nga numra të panjohur. Kështu mund të krahasojmë drejtpërdrejt rezultatet me Gallup-in, por edhe të shkojmë përtej tij. Kemi përfshirë jo vetëm të rriturit amerikanë dhe votuesit e regjistruar, por edhe drejtues biznesi. Pra, është një gamë e gjerë segmentesh që mund të analizohen përmes këtij sondazhi.

Gazetari: Dritan, le të kalojmë te disa nga këto shifra në këtë matës mujor. Ato reflektojnë shumë nga ato që kemi parë edhe në sondazhe të tjera. Vlerësimi i punës së presidentit është 41%. Inflacioni vetëm 32% miratim. Ekonomia në përgjithësi 37%. Tarifat dhe tregtia 37%. Cili ishte përfundimi yt kryesor nga këto shifra? Çfarë tregojnë ato për mënyrën se si ndihen amerikanët për Presidentin Trump?

Dritan Nesho: Të gjithë këta tregues që unë i quaj ‘tregues gare’ janë në trend negativ për Presidentin Trump dhe republikanët përpara zgjedhjeve të ndërmjetme. Por përfundimi më i rëndësishëm vjen nga pyetjet e tjera, ato që lidhen me klimën e përgjithshme. Ato tregojnë se demokratët janë në avantazh, por ende nuk kanë marrë rolin udhëheqës në këto çështje kyçe dhe nuk po e drejtojnë qartë mesazhin e tyre. Në një situatë të tillë, sondazhet mund të ndryshojnë shumë shpejt. Megjithatë, trendi për Trump ka qenë negativ që nga fillimi i vitit.

Gazetari: Dritan, kur i analizoni më thellë këto sondazhe, a vëreni ndonjë ndjenjë më të ulët besimi tek të rinjtë amerikanë, sidomos ata që po krijojnë familje, krahasuar me grupet e tjera?

Dritan Nesho: Pavarësisht sfidave të sotme, dhe edhe pse amerikanët janë të frustraruar me ekonominë, siç tregon sondazhi, dy të tretat ende besojnë në ëndrrën amerikane. Dy të tretat besojnë se përmes punës së palodhur mund të arrijnë një jetë më të mirë. Gjithashtu, dy të tretat thonë se ëndrra amerikane është e arritshme për ta—ose po e jetojnë tashmë, ose besojnë se do ta arrijnë. Por fakti që një e treta mbetet jashtë është shumë domethënës dhe shpjegon një pjesë të madhe të pakënaqësisë që shohim sot në vend.

Gazetari: Mirë, Randall Lane dhe Dritan Nesho, ju falënderojmë shumë që e vazhdoni këtë traditë. E vlerësojmë.