VIDEO/ Tela: ‘Balluku’ pengesë për ecjen e negociatave, BE kërkon rezultate konkrete nga SPAK
Gazetari Andi Tela duke komentuar raportin e Parlamentit Europian u shpreh se, pengimi i hetimeve ndaj korrupsionit, dhe konkretisht çështja ‘Balluku’ kanë penguar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
I ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meço në SYRI TV, Tela theksoi se institucionet europiane kanë një linjë të qartë në lidhje me mënyrën se si do të vijojnë negociatat me Shqipërinë.
Sipas tij, gjatë vizitës së delegacionit të Parlamenti Europian në vend, është bërë e qartë se do të vëzhgohet me kujdes mënyra se si trajtohen çështje të caktuara, përfshirë atë të njohur si ‘Balluku’.
Ai theksoi se edhe pse raportet zyrtare nuk i përmendin rastet me emra konkretë, formulimi i tyre lë të kuptohet qartë referenca ndaj çështjeve specifike që konsiderohen problematike.
Sipas Telës, kjo situatë përbën një element pengues për hapjen e kapitujve të negociatave, ndërsa shtoi se edhe procesi i lidhur me IBAR mbetet i ndërlikuar dhe kërkon kohë.
‘Që ajo është një linjë e qartë dhe e përcaktuar në këtë, në mënyrën se si do të vijojnë negociatat, kjo është e dukshme. Është e dukshme që në momentin që dërggata e Parlamentit Europian ishte në Shqipëri dhe tha, ne do ta shikojmë se si do sillen me çështjen e Ballukut, do mbajmë shënim.
Pra, e kanë mbajtur shënim.
Të mos presim që në një raport të tillë të shkruhet me emër dhe mbiemër, por mënyra se si janë shkruar është e qartë që referohet për çështjen ‘Balluku’.
Domethënë, ideja ime është kjo. Është një element shumë i rëndësishëm, pengues për vijimin e mëtejshëm të hapjes së kapitujve.
Pra, edhe raporti i IBAR, i IBAR-it, edhe ndoshta mund të kalojë më vonë, por është prapë rrugë e gjatë deri në momentin që mund të çelet kapitulli i parë i negociatave.
Edhe për SPAK-un dhe për gjithë kohën, në raportin e Parlamentit Evropian e kishin të qartë, mund të ketë shumë hetime. E rëndësishme është se si përfundojnë, pra duhet të ketë përfundime sa më të shumta të këtyre hetimeve.
Mund të hapni shumë gjëra. E rëndësishme është finalja ku shkoni. Prandaj është edhe ky një lloj presioni ndaj SPAK-ut për luftën ndaj korrupsionit’, tha Andi Tela në SYRI TV.