'8 Maj, protestë mbi qytetarinë...'/ Muçollari: Tragjedia në Durrës, dëshmi e dështimit të sigurisë dhe modelit të qeverisjes
Ngjarja tragjike në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën, nuk është një ngjarje izoluar, por simptomë e një modeli të dështuar qeverisës që rrezikon jetën e qytetarëve çdo ditë.
Kjo ishte akuza e fortë e anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, i cili në një intervistë për SYRI TV me moderator Edvin Parruca, argumentoi se ngjarja zbulon dështimin e thellë të sigurisë publike dhe pasojat fatale të një modeli zhvillimi të bazuar në betonizim dhe korrupsion. Sipas Muçollarit, tragjedia është dëshmi e qartë se Policia e Shtetit nuk po funksionon si një strukturë për mbrojtjen e qytetarëve. Ai theksoi se ngjarje të tilla do të ishin të parandalueshme nëse institucionet do të kryenin detyrën e tyre. Duke iu referuar rastit konkret, ai vuri në dukje se drejtuesi i mjetit kishte një historik të shkeljeve ligjore, përfshirë ato që lidhen me përdorimin e alkoolit, dhe ngriti pyetjen se si një individ i tillë mund të ishte i lirë dhe të drejtonte një automjet, duke e cilësuar këtë si një cenim direkt të sigurisë publike.
Grigels Muçollari: Të them të drejtën, nuk do të doja kurrë ta nisja nga kjo ngjarje, por aq më tepër të bëja politikë me tragjedi të tilla. Por, në një aspekt tjetër kam detyrimin dhe ndjej peshën e përgjegjësisë si një politikan i ri, por dhe si një njeri publik që të ngre zërin për këtë çështje. Që do të thotë që nëse ne nuk flasim, kjo është situata dhe këto janë situatat që ndodhin. Dhe për fat të keq, një pjesë e madhe e shoqërisë herë pas here zgjedh të heshtë e të mos flasë ose vrapon për të folur vetëm disa ditë pasi tragjedi të tilla ndodhin dhe në ato dy-tre ditë flasim me zë të lartë, por sheh kot për sa kohë nuk ke vazhdueshmëri për të folur për këto ngjarje.
Pikërisht, dhe në këtë aspekt mendoj që të që të gjithë duhet të ngremë zërin. Çdo qytetar, ata fëmijë aty, por çdo politikan ndërkohë duhet të flasë për këtë çështje, pasi është një çështje që çdo ditë e më shumë pritet të trokasë dhe në familjet tona. Ajo që ka ndodhur në Durrës, përveç se aspektit të prekjes të sigurisë publike, që do të thotë që Policia e Shtetit nuk funksionon më si një strukturë që ofron siguri publike, por si një strukturë e cila, herë pas here lejon shkelësit e ligjit, bëhet pjesë me shkelësit e ligjit, nuk parandalon ngjarje të cilat duhet të ishin parandaluar. Unë nuk e kuptoj po, nëse një njeri si zotëria në fjalë paska shkelur ligjin disa herë, sidomos në raport me përdorimin e pijeve alkoolike, unë nuk e kuptoj se si mundet të jetë i lirë dhe aq më tepër të jetë në drejtimin e një mjeti. Kështu që në këtë aspekt është prekur siguria publike dhe kemi të bëjmë me struktura shtetërore të policisë, të cilat në një mënyrë apo një tjetër janë shpërbërë dhe nuk po kryejnë funksionin e tyre cilësor, që ofrimin e sigurisë të jetës së qytetarëve.
Por ky është një kontekst i ngjarjes. Duhet ta shohim edhe pak më tepër aty ku, bashkëfajtorë jemi të gjithë, po patjetër me kryefajtorin, me modelin i cili e ka krijuar këtë ngjarje. Ne jemi të gjithë dëshmitarë se si sot fëmijët tanë nuk kanë se ku të luajnë. Të gjithë e shohim që fëmijët tanë sot mund të luajnë ose në një trotuar gjysëm metri, 1 metër, 1.5 metër në rastin më të mirë, poshtë pallatit, sidomos në qytetet urbane si Durrësi, Tirana, ose në asnjë vend tjetër. Që do të thotë që jeta e çdo fëmije sot në qytetet kryesore të Shqipërisë është çdo ditë në rrezik. Dhe për ata prindër që kanë vendosur të mos i lejojnë të dalin, janë, është po aq në rrezik për shkak të përdorimit të tepruar të teknologjisë, se kjo është histori më vete. Kështu që, çfarë po ndodh me këtë vend? Kemi krijuar një model dhe e kemi mbështetur herë pas here duke qëndruar në heshtje, një model betonizimi, një model ndërtimi masiv. Se mbase njerëzit janë lodhur duke e shfolur, duke e folur, por duhet ta themi prapë. Ky model që ndërton beton, ndërtesa dhe pa patur përkujdesje për cilësinë e jetës, për mirëqenien, për fusha, për parqe për fëmijët, por dhe jo vetëm, për të gjithë ne. Ky model këto të tilla ngjarje do të provojnë, do të nxjerrë. Dhe ngjarje të tilla të cilat janë tragjike, patjetër që na bëjnë të ulërasim gjithmonë e më shumë dhe të thërrasim gjithmonë e më shumë dhe të protestojmë gjithmonë e më shumë pasi ndodhin këto. Por nuk duhet të ndalemi me kaq, duhet të ndërrojmë modelin.
Sepse kam frikë, ose më saktë, jo kam frikë, po jam i bindur që për sa kohë që modeli nuk do të ndërrohet, ngjarje të tilla do të përsëriten dhe do të përsëriten. Kështu që kjo është një çështje që ka një përgjegjësi kryesore, ofruesin e modelit, i cili është zoti Rama. Është kryeministri Rama, është kjo qeveri. Model i bazuar mbi pastrimin e parave, mbi korrupsionin, mbi ndërtimin masiv, mbi interesat okulte të mafias apo qoftë edhe të njerëzve të lidhur me mafien. Ky model duhet ndryshuar dhe nëse ne nuk ngremë zërin, nëse ne nuk e kundërshtojmë, nëse ne nuk protestojmë dhe kjo lidhet me të gjithë qytetarët. Patjetër që opozita ka detyrën morale të jetë pararojë, të protestojë edhe kur qytetarët nuk janë fort të bindur ose kur kanë frikë të protestojnë. Dhe kjo është detyrë e çdo opozitari, e çdo demokrati, që në 8 Maj të gjendet aty, të protestojë, të jetë pararojë e qytetarëve. Po patjetër që ka një detyrë morale të shoqërisë, të çdo qytetari të protestojnë për veten, për vetveten. Data 8 Maj nuk është një protestë që lidhet me partinë politike. Nuk lidhet as me PD-në dhe as me një parti tjetër, por me një protestë mbi qytetarinë, me një protestë mbi njerëzit e lirë të cilët duan të vendosin themelet e një shteti ku qytetarët e tyre reagojnë, ku qytetarët e tyre kërkojnë më mirë për jetën e tyre.