Nuk i mbajnë nervat si drejtues, Piqué dënohet rëndë: 6 ndeshje pezullim dhe 2 muaj ndalim aktiviteti
Komiteti i Garave ka marrë vendim për incidentet e ndodhura në ndeshjen mes Andorra-s dhe Albacete-s, duke ndëshkuar ashpër ish-mbrojtësin Gerard Piqué.
Sipas vendimit zyrtar, Piqué është pezulluar për 6 ndeshje për sjellje me dhunë të lehtë ndaj arbitrave. Përveç këtij ndëshkimi sportiv, është vendosur edhe një gjobë shtesë ndaj klubit, në përputhje me rregulloren disiplinore.
Por kjo nuk është e gjitha. Komiteti ka vendosur gjithashtu një ndalim aktiviteti për 2 muaj ndaj ish-futbollistit spanjoll, për shkak të sjelljeve publike që konsiderohen se cenojnë dinjitetin dhe etikën sportive. Këto masa janë bazuar në raportin e arbitrave dhe në rrethanat e incidentit.
Ndërkohë, klubi i Andorra-s, ku Pique është pronar dhe drejtues, është penalizuar edhe me një gjobë prej 1.500 eurosh, si dhe me mbylljen e pjesshme të stadiumit për dy ndeshje. Konkretisht, do të mbyllen zonat VIP dhe tribunat e rezervuara, si pasojë e mosrespektimit të përsëritur të rregullave dhe udhëzimeve të organeve federative.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të madh si për vetë Piqué-në, ashtu edhe për klubin, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e respektimit të rregullave dhe etikës në futboll.