Irani kërkon garanci nga SHBA për Botërorin: Jo fyerje ndaj institucioneve tona ushtarake

Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, ka ngritur shqetësime serioze për trajtimin që mund t’i bëhet delegacionit iranian në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë Kupës së Botës, duke kërkuar garanci të qarta nga FIFA.

Taj deklaroi se autoritetet amerikane duhet të sigurojnë që nuk do të ketë fyerje ndaj institucioneve të rëndësishme të vendit të tij, veçanërisht ndaj Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Kjo kërkesë vjen në një moment delikat, pasi më 20 maj është planifikuar një takim vendimtar me FIFA-n në Zyrih për të përcaktuar detajet e udhëtimit të kombëtares iraniane në Botëror.

Situata është bërë edhe më e ndjeshme pas incidentit të fundit në Kanada, ku delegacioni iranian nuk arriti të merrte pjesë në Kongresin e FIFA-s në Vancouver. Edhe pse fillimisht u tha se ishte një vendim i vetë federatës, autoritetet kanadeze konfirmuan se viza e Taj ishte anuluar për shkak të lidhjeve të tij me IRGC-në, e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Kanadaja dhe SHBA.

“Na duhen garanci që askush nuk do të fyejë simbolet e sistemit tonë, sidomos Gardën Revolucionare. Pa këto garanci, ekziston rreziku që të përballemi me të njëjtën situatë si në Kanada,” u shpreh Taj.

Ai shtoi se Irani do të marrë pjesë në Botëror si një ekip i kualifikuar dhe se organizatori është FIFA, jo politika amerikane: “Nëse na presin, duhet të respektojnë institucionet tona. Përndryshe, mund të detyrohemi të kthehemi mbrapsht.”

Ndërkohë, federata iraniane po shqyrton mundësinë për të zhvilluar një ndeshje miqësore në Turqi, si pjesë e përgatitjeve për turneun e madh veror.