Dorëzohet në Gjykatën Speciale peticioni me 200 mijë nënshkrime: Drejtësi për çlirimtarët

Në Gjykatën Speciale është dorëzuar të mërkurën peticioni me 200 mijë nënshkrime me kërkesën “Drejtësi për çlirimtarët”, ka konfirmuar kryetari i Organizatave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

“Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë, u dorëzuan 200 mijë nënshkrime, 200 mijë zëra që kumbojnë me një kërkesë të vetme, Drejtësi për çlirimtarët. Ky nuk është thjesht një peticion, është vullneti i pastër i një kombi që nuk e harron sakrificën. ​Me besimin e palëkundur te lufta e pastër e UÇK-së, urojmë dhe shpresojmë që këtë verë dielli të lindë ndryshe  me krerët tanë në shtëpi, aty ku e kanë vendin, në Kosovën e lirë!” ka shkruar Gucati në Facbook tek e ka publikuar momentin e dorëzimit të peticionit në gjykatën në Hagë.

Peticioni online u nis më 25 shkurt.

Nëpërmjet tij bëhet thirrje për proces të drejtë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

E pikërisht sot, Gjykata Speciale ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, është thënë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por data që përcakton afatin e zgjatur.