Van Basten kritikon futbollin italian: Ja si po e shkatërrojnë Serinë A, Milani është shembulli
Legjenda holandeze e futbollit, Marco van Basten, ka bërë deklarata të forta për gjendjen aktuale të futbollit italian, duke e lidhur krizën e tij me pronësinë e huaj të klubeve dhe mungesën e ‘yjeve’ në futbollin modern.
Në një intervistë për gazetarin Carlo Pellegatti, gjatë prezantimit të librit të tij të ri “50 partite, emozioni infinite, il Milan”, ish-sulmuesi nuk ka kursyer kritikat për drejtimin aktual të klubeve në Itali.
Sipas Van Basten, një nga problemet kryesore është fakti se shumë klube nuk kanë më pronarë italianë dhe kjo, sipas tij, ka ndikuar negativisht në identitetin dhe zhvillimin e futbollit vendas.
“Aktualisht në Itali ka shumë pronarë të huaj që nuk kanë lidhje me historinë e klubeve dhe as nuk janë të interesuar për të. Është për të ardhur keq. Do të ishte shumë e rëndësishme që futbolli italian të rikthehej në duart e italianëve,” u shpreh ai.
Duke marrë si shembull Milanin, klub me të cilin ai ka shkruar historinë dhe ka fituar edhe Topin e Artë në vitin 1988, Van Basten shprehu keqardhje për gjendjen aktuale të skuadrës. Ai theksoi gjithashtu dominimin e Interi në Itali, gjë që sipas tij nuk është një zhvillim pozitiv për rivalitetin tradicional.
“Milani nuk është më ai që ishte. E ndjek dhe shpresoj që të rikthehet shpejt, sepse sot Interi dominon në Itali dhe kjo nuk më pëlqen aspak,” tha ai.
Holandezi foli edhe për përfaqësuesen e Italisë, duke theksuar mungesën e ‘yjeve’ në ekipin aktual:
“Kam parë Kombëtaren italiane: tani mungojnë ‘yjet’. Italia gjithmonë ka pasur një portier të madh, një mbrojtës të madh, një mesfushor të madh dhe një sulmues të madh. Sot është e vështirë t’i shohësh këto dhe kjo është e çuditshme.”
Në fund, Van Basten tregoi edhe preferencat e tij për Kupën e Botës, duke deklaruar se do të mbështesë Holandën, por gjithashtu edhe Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti.