Henry emocionon tifozët: Ky Arsenal është më i fortë se ‘Invincibles’ (të pamposhturit) e mi

Arsenali po përjeton një nga momentet më të mëdha në historinë moderne të klubit, pasi ka arritur në finalen e UEFA Champions League dhe është rikthyer në krye të Premier League. Ecuria e skuadrës së Mikel Artetës ka ngjallur entuziazëm të jashtëzakonshëm, por edhe vlerësime historike nga legjendat e klubit.

Një prej tyre është Thierry Henry, ish-sulmuesi ikonë dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Arsenalit me 228 gola, i cili ka bërë një deklaratë të fortë, që ka tronditur opinionin sportiv.

Duke folur për CBS, Henry ka krahasuar këtë skuadër me ekipin legjendar të vitit 2004, të njohur si “Invincibles”, që fitoi Premier League pa asnjë humbje.

“Kur sheh atë që ky grup po arrin, duhet të ndalosh dhe të kuptosh madhështinë e tij,” u shpreh Henry. “Shpesh flasim për ‘Invincibles’ të 2004-ës, por çfarë të themi për këtë ekip që po ecën pa humbje në Champions League? Është në një nivel krejt tjetër.”

Henry theksoi se futbolli evropian nuk fal gabime dhe se rruga e Arsenalit ka qenë shumë më e vështirë në këtë kompeticion.

“Ne kemi parë sa e vështirë është në Evropë, sidomos në gjysmëfinalen ndaj Atlético Madridit. Shumë menduan se do të ishte një makth, por Arsenali tregoi durim dhe inteligjencë. Ata luajtën një lojë shahu dhe e fituan në nivel mendor,” shtoi ai.

Deklarata e Henry-t ka ndezur debat të madh mes tifozëve, pasi krahasimi me skuadrën e pathyeshme të vitit 2004 konsiderohet një nga vlerësimet më të larta që mund t’i bëhet një ekipi në historinë e klubit londinez.