'Berisha denoncoi propagandën qeveritare në media, jo gazetarët'/ PD: Safe Journalists dhe AGSH po shmangin problemin real

Partia Demokratike ka dalë me një reagim të detajuar për të sqaruar qëndrimin e kryetarit të saj, Sali Berisha, pas polemikave të fundit me organizata të medias si Safe Journalists dhe Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.

Në deklaratën zyrtare, PD thekson se kritikat e Berishës janë keqinterpretuar qëllimisht, duke u paraqitur si sulm ndaj gazetarëve, ndërkohë që sipas saj ato kanë pasur në shënjestër ekskluzivisht pronarë mediash dhe ndikimin e drejtpërdrejtë politik mbi përmbajtjen editoriale.

Sipas opozitës, shqetësimi real nuk qëndron te liria e gazetarëve individualë, por te ajo që e cilëson si kapje sistematike e mediave nga qeveria e Edi Rama, përmes interesave ekonomike dhe presioneve politike.

Në këtë kontekst, PD argumenton se deklaratat e Berishës synojnë të denoncojnë një problem të thellë të funksionimit të medias në vend, duke kërkuar vëmendje mbi raportin mes pushtetit dhe informimit publik.

Deklaratë për media:

Me keqardhje u ndeshëm me reagimin e organizatave Safe Journalists dhe AGSH (Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë) mbi të ashtuquajturin “sulm publik ndaj News 24” nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. 

Lidhur me këto deklarata të AGSH dhe SJ-së, sqarojmë: 

Së pari: Në deklaratën e tij, z. Berisha nuk ka atakuar personalisht asnjë gazetar. Ai ka kritikuar me të drejtë vetëm pronarin e News24 për angazhimin e tij personal në lajme të rreme, trillime dhe manipulimet e diktuara direkt nga zyra e Kryeministrit Edi Rama kundër Partisë Demokratike. 

Kështu, në mediat e tij, ai me gjithë sqarimet e dhëna direkt atij, ai ka paraqitur si zyrtar të lartë të forumeve të PD persona të larguar prej kohësh në parti të tjera.

Së dyti: Berisha në asnjë rast nuk ka sulmuar asnjë gazetar të këtij televizioni, përkundrazi, në çdo deklaratë ka shprehur publikisht respekt dhe vlerësim për punën e tyre.

Sikundër ai ka falenderuar në mënyre të përsëritur të gjithë ata gazetarë që, me guxim kontribuojnë çdo ditë në hetimin dhe denoncimin e korrupsionit dhe lidhjeve të pushtetit me krimin. 

Në këtë kontekst mendojmë se është tejet e dyshimtë dhe jashtë misionit të këtyre organizatave të bëjnë "avokatin" e pronarit të medias, duke anashkaluar faktet. 

Së treti: Raporte serioze ndërkombëtare konfirmojnë se mbi 90% e mediave në Shqipëri janë nën kontrollin e qeverisë, qoftë në linjën editoriale, qoftë në përmbajtjen e lajmeve. Ky kontroll, i ushtruar përmes interesave të pronarëve, arrin deri në censurë ndaj opozitës dhe vetëcensurë të gazetarëve. Dokumentet zyrtare të  dosjeve gjyqësore faktojnë se pronarë të mediave proqeveritare, me ne krye Top Channel, shpërblehen nga qeveria me dhjetra miliona euro në tendera, prokurime, me statusin e investitorit strategjik apo me mijëra metra katrorë troje me "1 euro" në zemër të Tiranës. 

Në këmbim, këta pronarë urdhërojnë censurimin e opozitës, shpifjet e trillimet ndaj saj dhe  përsërisin si papagaj në seri lajmet e ERTV të Kryeministrit apo podkastit të tij, madje pranojnë lista nga zyrat e këtij të fundit, se cilët kundërshtarë politikë nuk duhen ftuar në studio, ose kush duhet denigruar publikisht. 

Kështu togfjalëshin “mafia e fjalës së lirë”, z. Berisha e përdor për të identifikuar jo mediat si institucione, por ata pronarë dhe analistë (si Sokol Balla, Adriatik Doçi, Idajet Beqiri, Carlo Bollino, etj.) që censurojnë opozitën, devijojnë fokusin e ngjarjeve, shtrembërojnë faktet, shpifin dhe përdorin një gjuhë të korruptuar në shërbim të pushtetit. 

Së katërti: Kategorizimi i kryetarit të PD-së si "i ngjashëm me Ramën" është një paralele që vjen ose nga mosdija, ose nga një përpjekje shterpë për t’u dukur i barazlarguar. 

Kujtojmë se PD ka qenë njëzëri në mbështetje të Focus Group kur qeveria bastisi mjediset e tyre apo shkatërroi pronat e kësaj kompanie. Z. Berisha ka kritikuar rrjetin në fjalë vetëm për mbulim të pabarabartë dhe për ngatërrimin e agjendave personale të pronarit me interesin publik. 

Të thuash se kritika politike është e njëjtë me bastisjet, kërcënimet dhe shpërthimet me eksploziv të kryera nga qeveria, përbën amnisti për veprimet kriminale të pushtetit. 

Së fundmi, siç është bërë tashmë traditë, Sali Berisha organizon thuajse çdo ditë takime të hapura me median. Në asnjë prej këtyre takimeve asnjë reporter nuk është fyer apo sulmuar; përkundrazi, janë falënderuar për punën dhe investigimet e tyre. E kundërta ndodh në konferencat e Kryeministrit, ku gazetarët abuzohen verbalisht apo dhe shtyhen prej tij dhe përjashtohen fizikisht. 

Detyra e opozitës nuk është "gjuha politikisht korrekte", por identifikimi i saktë i problemeve. Opozita ka si instrument parësor fjalën, dhe nuk ka gjuhë tjetër për të përshkruar kapjen e medias përveç të vërtetës, sado e ashpër që ajo të tingëllojë. 

Partia Demokratike mbetet e palëkundur në besimin se media e lirë është aleate e pazëvendësueshme në dokumentimin e vjedhjeve qeveritare dhe në vënien e pushtetit para përgjegjësisë, sipas parimit: “Problemi është qeveria”.

Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike