‘Humba 100 mijë euro’/ 54-vjeçarja austriake rrëfen si u mashtrua nga ‘skiatori’ i famshëm
Një grua 54-vjeçare nga Salzburgu në Austri ka treguar se si ka rënë pre e një mashtrimi online, duke humbur mbi 100 mijë euro pasi u mashtrua nga një profil i rremë që paraqitej si sportist i njohur.
Sipas medieve austriake, kontakti mes saj dhe mashtruesit nisi në internet, ku ai u prezantua si një skiator i famshëm. Ai arriti ta bindte gruan të investonte para në skema të rreme, duke i premtuar fitime të mëdha.
Gjatë periudhës mars–maj, viktima transferoi shuma të konsiderueshme në llogari bankare në Gjermani, duke arritur në total mbi 100 mijë euro.
Hetimet kanë zbuluar se bëhet fjalë për një rrjet ndërkombëtar mashtrimi, ku përdoren identitete të rreme të personazheve të njohur për të bindur viktimat të investojnë, shpesh në kriptomonedha.
Sipas medieve austriake, autoritetet në Austri dhe Shqipëri kanë ndërmarrë veprime, duke zbuluar disa call-center të dyshuara, megjithëse lidhja e drejtpërdrejtë me autorët kryesorë ende nuk është plotësisht e qartë.