Lajmësi nga Tirana

“Rublat vazhdojnë të flasin mbrapsht në Tiranë, siç folën në 2011 përmes votës KUNDËR Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe PRO Rezolutës famëkeqe, që lemerisi botën me shkulësit e organeve shqiptarë! Opozita e rublave është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse…”, shkruante Rama, duke e shoqëruar me një foto të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës ne tetor 2022.

Te gjithëve ju kujtohet shpikja e termit 'Koalicioni i Rublave' nga ana e kryeministrit kundër opozitës katër vjet më parë. Por pakkush e vrau mendjen kur ai ndaloi së përdoruri këtë term. Në fakt ai ndaloi sapo ju kujtua publikisht se nëse kishte koalicion rublash ai ishte koalicioni i prindërve të tij, pasi i ati kishte mbaruar shkollën në Leningrad, dhe e ëma në Poloni, të dy të paguar me rubla.

Në historinë shqiptare të shekullit të fundin, asnjëherë nuk ka pasur një ndarje të qartë se ku përfundojnë rublat e ku fillon dinari.

Mbrëmë, në një intervistë të gjatë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në InformerTV, duke folur për marrëveshjen ushtarake midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, u shpreh se "Kjo aleancë është bërë me insistimin e Zagrebit. Jemi informuar nga Tirana dhe kemi dhe info sekrete nga Prishtina që pas kësaj qëndron një shtet tjetër që ka insistuar tek Zagrebi". Ajo që vlen të theksohet nuk është fakti se Vuçiç ka informacion se marrëveshja është kërkuar nga Zagrebi i shtyrë nga një fuqi e madhe, e nuk do mend për ta kuptuar se kush është, as fakti se ai merr informacion sekret nga institucione të Prishtinës, se mbetjet e UDB pas një shekulli sundim janë të kuptueshme, por fakti se nga Tirana nuk ka nevojë për informacion sekret pasi atë ja japin vetë. Ajo çfarë Vuçiç i referohet si 'informacion nga Tirana' është komunikim në nivel politik nga Tirana. Komunikimi politik nga Tirana është vetëm në nivelin e Kryeministrit. Vetëm Rama e di nëse ky komunikim nga Tirana është bërë si shfajësim ndaj Vuçiç, apo në vazhdën e komunikimit të vazhdueshëm politik.

Presidenti serb ka qenë çuditërisht i sinqertë kohët e fundit në lidhje me iniciativat rajonale të Beogradit dhe strategjinë e saj. Pak ditë më parë në një intervistë me Alistair Cambell, ish-këshilltar mediatik i Ramës, ai u shpreh se ideja e 'Ballkanit të Hapur' ishte ideja e tij, dhe ishte bërë për të sabotuar 'Procesin e Berlinit'. Shqiptarët e dinë se me sa entuziazëm e kishte shtyrë Rama 'Ballkanin e Hapur' duke çuar në përplasje të drejtpërdrejtë me Prishtinën.

Po ashtu të gjithë e dimë tashmë se ideja e ndarjes së Kosovës fillimisht e hedhur në treg nga një studim i Fondacionit Soros në Beograd në 2018, dhe i mbështetur nga Rusia, u bë operacioni politik më i rëndësishëm në jetën politike të Ramës.

Nëse për Ballkanin e Hapur dhe ndarjen e Kosovës, Rama mund të justifikohet me qëndrime politike të gjykuara si të përshtatshme dhe të spinohen si me interes për Shqipërinë, informacioni që ai i dërgon Vuçiç për çështje ushtarake nuk është më qëndrim politik, por spiunazh. Në kushtet kur Rama ka kontroll të plotë mbi institucionet e sigurisë, opozita duhet të përdorë mjetin e vetëm politik dhe ligjor që ka: të kërkojë menjëherë komision hetimor parlamentar mbi këtë çështje.