Luis Enrique: Bayerni është rivali më i fortë, por synojmë vetëm fitoren
Në prag të sfidës vendimtare në Mynih, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, theksoi qartë se skuadra e tij nuk do të hyjë në fushë për të mbrojtur rezultatin 5-4 të ndeshjes së parë, por për të fituar sërish dhe për të siguruar finalen e UEFA Champions League.
“Objektivi ynë është fitorja. Kemi bërë një punë shumë të mirë deri tani, por tani është momenti të japim edhe më shumë për të arritur në finale. Përballë kemi një kundërshtar të jashtëzakonshëm si Bayern Munich, ndoshta më i forti që kemi hasur ndonjëherë”, u shpreh tekniku spanjoll.
Ai parashikon një ndeshje të ngjashme me atë të parë: “Nuk pres ndryshime të mëdha, sepse asnjëra skuadër nuk e pranon se tjetra është më e mirë. Kjo e bën përballjen edhe më të bukur dhe spektakolare. Do të jetë një duel i nivelit më të lartë mes dy ekipeve që synojnë të njëjtin objektiv”.
Luis Enrique theksoi rëndësinë e kontrollit emocional: “Kemi një avantazh minimal, por kjo nuk garanton asgjë. Të dyja skuadrat kanë treguar se mund të dominojnë ndeshjen në faza të ndryshme. Menaxhimi i emocioneve do të jetë vendimtar”.
Në fund, ai kujtoi edhe triumfin e një viti më parë, kur Paris Saint-Germain mposhti Interin për të fituar Champions-in: “Është një kujtim i bukur, por nuk na jep avantazh shtesë. Ne jemi të përqendruar maksimalisht te kjo sfidë. Gjithsesi, kthimi këtu sjell gjithmonë emocione të veçanta dhe kujtime të bukura nga e kaluara”.