Diego Simeone pranon eliminimin: Arbitrat gabojnë, por nuk kemi justifikime
Trajneri i Atlético Madridit, Diego Simeone, analizoi me qetësi humbjen ndaj Arsenalit në “Emirates”, një disfatë që i kushtoi skuadrës së tij eliminimin nga UEFA Champions League.
“‘Cholo’” theksoi se në momentet kyçe të dy ndeshjeve gjysmëfinale skuadra e tij nuk tregoi saktësinë e duhur. “Në përballjen e parë, sidomos në pjesën e dytë, kishim mundësi reale për ta fituar ndeshjen, por nuk arritëm të shënonim. Edhe sot, pas pushimit, reaguam mirë, por nuk e përmbysëm dot rezultatin”, u shpreh ai.
Simeone pranoi gjithashtu diferencat mes dy klubeve: “U përballëm me një kundërshtar me mundësi ekonomike më të mëdha. Ky është futbolli, dikush fiton dhe dikush humbet”.
I pyetur për episodin e diskutueshëm mes Riccardo Calafiorit dhe Antoine Griezmann-it, tekniku argjentinas nuk kërkoi polemika të mëtejshme: “Ishte një penallti e pastër që nuk na u dha, por nuk ka kuptim të ndalemi gjatë te kjo. Në futboll ndodh që arbitrat të gabojnë, ndonjëherë në favorin tënd, ndonjëherë kundër”.
Në fund, ai vlerësoi rrugëtimin e skuadrës së tij, pavarësisht zhgënjimit: “Ka shumë mënyra për të humbur. Ne jemi të mërzitur, por krenarë. Ndoshta askush nuk e priste që të arrinim deri në këtë fazë. U përballëm me një Arsenal shumë të fortë dhe duhet t’i përgëzojmë ata dhe Artetën për punën që kanë bërë”.