VIDEO/ Mustafaj: Rrjetet sociale japin ekspozim, por nuk sjellin votë pa strukturë në terren

Anëtari i departamentit ‘Brain Gain’ në Partinë Demokratike, Andi Mustafaj, deklaroi se rrjetet sociale janë një mjet i rëndësishëm për komunikimin politik, por nuk mjaftojnë për të siguruar mbështetje elektorale.

I ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krasta në SYRI TV, Mustafaj theksoi se platformat sociale ndihmojnë politikanët të krijojnë kontakt fillestar me qytetarët dhe të zgjojnë interes për profilin e tyre publik. Sipas tij, ndikimi real politik nuk ndërtohet vetëm në rrjete sociale.

Mustafaj nënvizoi se për të kthyer vëmendjen në mbështetje konkrete, është e domosdoshme një strategji më e gjerë, që përfshin hapësirën televizive dhe angazhimin e strukturave të partisë në terren. Ai theksoi rëndësinë e një organizimi ‘kapilar’, nga qendra deri në degët lokale, për të ndërtuar një lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Rrjetet sociale i mundësojnë politikanëve që të prekin, pra qytetarët, në rastin tonë, qytetarët shqiptarë, të krijojnë një kuriozitet mbi profilin e këtij politikani.

Më pas, në qoftë se politikani poston në mënyrë të vazhdueshme gjëra cilësore, sjell interes, por këtu ndalon rrjeti social. Rrjeti social nuk sjell besim, nuk sjell mbështetje, nuk sjell votë.

Pra, rrjetet sociale mundësojnë ekspozimin, por jo ndikimin. Dhe është thelbësore që edhe këtu të mendojmë të gjithë bashkë.

Atëherë ti pyesë, se si mund të ndryshojë kjo, ndryshon njëherë duke menduar, ndryshon duke i dhënë hapësirën televizive dhe më pas hapësirën tek strukturat e partisë që pastaj kjo shkon në mënyrë kapilare deri në terren, sepse ne shpesh në Shqipëri, por dhe më gjerë se nuk është për këtë aspekt të paktën, nuk është problematikë 100% shqiptare, njerëzit gënjejnë veten e tyre në rolin që kanë dhe gënjejnë në mënyrë shumë të sinqertë, se mendojnë se e kanë atë ndikim në popullsi për shkak të hapësirave, për shkak të shikueshmërisë që kanë, por kjo nuk është e vërtetë.

Prandaj politika nuk bëhet nga rrjetet sociale vetë, por nuk bëhet pa rrjetet sociale. Duhet të gjejmë këtë ekuilibër, por unë besoj se funksionimi i tonë duhet ta gjejmë nëpërmjet rënies kapilare nga qendra deri tek çdo degë e Partisë Demokratike, për të pasur një strategji koherente dhe afatgjate për këtë çështje’, tha Andi Mustafaj ndër të tjera në SYRI TV.