Klevis Balliu: Kush është ‘koordinatori i krimit’ i Edi Ramës që shiste informacionin e qytetarëve

Gjatë një fjalimi para mbështetësve, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një “narkoregjim” dhe duke deklaruar se të gjitha institucionet e shtetit janë “të kapura dhe të gllabëruara”.

Sipas tij, protesta qytetare mbetet i vetmi institucion i lirë në vend, i aftë për të kthyer shpresën për një Shqipëri normale dhe një shtet ligjor.

Në qendër të akuzave ishte figura e Ergys Agasit, i cili, sipas Balliut, megjithëse pa asnjë post zyrtar, drejtonte sigurinë kombëtare dhe institucionin e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).

U pretendua se Agasi shiste informacionin personal të qytetarëve, përfshirë të dhënat e familjeve dhe fëmijëve, te grupe kriminale si “kartelet e Suel Çelës”.

Deputeti Balliu e lidhi drejtpërdrejt këtë skemë me kryeministrin, duke deklaruar se “shefi i vetëm i AKSHI-t është Edi Rama” dhe se për këtë arsye, Ergys Agasi njihet si “koordinatori i krimit i Edi Ramës”.

Ky skandal, sipas tij, është prova se Shqipëria është kthyer në një “narkoshtet”, ku kriminelët vendosin për ekonominë dhe tenderat publikë manipulohen, duke u rritur nga 2 në 4 milionë euro për t’u fituar nga klientët e pushtetit.

Duke folur për pasuritë e zyrtarëve, ai pyeti retorikisht se si u arritën të grumbullohen pasuri marramendëse si jahte, helikopterë dhe qindra apartamente.

Përgjigja, sipas tij, është vjedhja e parave të qytetarëve. Në këtë kontekst, Balliu garantoi se nëse PD vjen në pushtet, “çdo cent i vjedhur do të konfiskohet dhe do t’u kthehet shqiptarëve”.

Në mbyllje të fjalës, përfaqësuesi i opozitës theksoi se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpopullimit nuk është një mision vetëm partiak, por një kauzë kombëtare që i përket të gjithë qytetarëve.

Fjalimi i Klevis Balliut

Mirëdita të nderuar qendrestarë të degës 16, një degë e cila në çdo betejë ka qenë në krye të asaj beteje dhe do të jetë po njësoj edhe në datën 8 maj në krye të përballjes me narkoregjimin, me Edi Ramën dhe të gjithë hajdutët që ai ka pasur.

Të nderuar miq, në çdo studio apo kudo nëpër portalet që hap pushteti, shikojmë një sulm. Një sulm që i bëhet qendresës, një sulm që i bëhet reagimit, një sulm që i bëhet protestës, për një arsye të vetme, sepse vetëm protesta, institucioni më i lartë në një sistem demokratik, mundet t'i bëjë ballë dhe të kthejë shpresën për një Shqipëri normale, për një shtet ligjor, ku qeveria t'i japë llogari para qytetarëve dhe jo t'i dhunojë ata apo t'i burgosi sepse kanë parkuar makinat dysh.

Të nderuar miq, çdo institucion sot është kapur. Çdo institucion sot është gllabëruar. Shikoni edhe parlamentin, nuk lejohet as të bësh interpelancë, nuk lejohet as të ngrish komisione hetimore, sepse këtu ka rënë institucionet e shtetit. Këtu ka ngekur vetëm pushteti i narkoregjimit. I vetmi institucion që nuk është kapur në Shqipëri është protesta dhe protestën mund ta mbajmë gjallë vetëm ne që duam Shqipërinë.

Shikoni, shikoni vetëm nga konfiskimet e fundit që ju siguroj që janë vetëm 10% e pasurive që ata kanë akumuluar. Ergys Agasi, një njeri i cili nuk kishte asnjë post zyrtar, drejtonte të gjithë sigurinë kombëtare dhe e shiste informacionin tuaj, informacionin e familjeve tuaja, të fëmijëve tuaj te kartelet e Suel Çelës dhe të bandave të çopjave. Vetëm për një arsye, për të mbushur xhepin. Kush ja jepte fuqinë këtij individi që të drejtonte të gjithë institucionet, që të drejtonte institucionin e AKSHI-t.

Institucioni i AKSHI-t ka vetëm një shef dhe ai është Edi Rama dhe prandaj Ergys Agasi njihet si koordinatori i krimit i Edi Ramës. Dhe kjo është prova, AKSHI është prova, është fakti se ne jemi në një narkoshtet, aty ku kriminelët vendosin se sa duhet të marri ky biznesmen apo ai biznesmen, se si mundet që një njeri t'i thotë drejtoreshës, këtë tender merre nga 2 milionë euro, bëje 4 milionë euro dhe do ta fitojë filani. Po çfarë janë këto miliona euro? Këto janë milionat euro që ju mungojnë juve në xhep. A e dini pse i kishin ato pasuri? A e dini pse i kishin jatet? Pse i kishin helikopterat? Pse i kishin pyjet? Pse kishin nga 300 apartamente? Sepse kanë vjedhur paratë tuaja dhe ju garantojmë se Partia Demokratike në pushtet, çdo cent që është vjedhur qytetarëve do të konfiskohet dhe do t'ju kthehet Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo.

Unë dua ta mbyll fjalën time me një kërkesë, jo vetëm për ju që jeni këtu, po për të gjithë ata që na ndjekin. Ne kemi një mision që nuk është mision partie. Korrupsioni nuk është problem i Partisë Demokratike. Shpopullimi nuk është problem vetëm i Partisë Demokratike. Krimi i organizuar nuk është problem vetëm i Partisë Demokratike. Edi Rama nuk është problem apo armik i Partisë Demokratike, ai është armik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe ne si shqiptarë të vërtetë mund ta largojmë me protesta dhe me përballje çdo ditë e kudo.